Gazeta Si – Një 30-vjeçar u arrestua gjatë një operacioni antidrogë të koduar “Black Scale” në Gjirokastër, ku u sekuestrua rreth 51 kg kanabis sativa, të ndarë në 48 pako, të cilat dyshohet se do të trafikoheshin drejt Greqisë.
Policia thotë se në pranga ka rënë N.P., banues në fshatin Rusan, Delvinë, i cili transportonte lëndën narkotike të fshehur në një hapësirë të improvizuar tek shasia e automjetit tip “Nissan”.
Policia identifikoi edhe tre persona të tjerë, bashkëpunëtorë të 30-vjeçarit, të cilët i ka shpallur në kërkim. Njëri prej tyre është vëllai i të arrestuarit, ndërsa dy të tjerët dyshohet se kanë pasur role organizatore dhe ndihmëse.
Gjatë operacionit, përveç lëndës narkotike, u sekuestruan automjeti tip “Nissan” dhe tre celularë të të arrestuarit. Hetimet vazhdojnë për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e përgjegjësisë penale të të gjithë të përfshirëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




