Gazeta Si – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 8 vjet burg për trafikim narkotikësh drejt Austrisë dhe pjesëmarrje në grup kriminal, Emiljan Burbën.
Fillimisht 56-vjeçari është dënuar me 12 vjet burg, por dënimi i tij, u reduktua me 1/3-ën sipas rregullave të gjykimit të shkurtuar, duke e çuar dënimin përfundimtar në 8 vjet burgim.
Vendimi i GJKKO-së parashikon që Burba të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë. Kundër vendimit mund të bëhet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Emiljan Burba, akuzohet për trafikimin e rreth gjysmë toni drogë hashash me kamion paletash druri industrial drejt Austrisë, rast i goditur nga Policia Kufitare e Shkodrës dhe Antidroga në muajin shtator të vitit 2023.
Në vitin 2023, atij iu sekuestruan disa pasuri të paluajtshme, vlera e të cilave shkonte rreth 3 milionë euro, konkretisht: dy ndërtesa (resorte), në Sarandë, një automjet (kamion) dhe një rimorkio.
Resortet e sekuestruara dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 56-vjeçarit, që ka qenë i dënuar në Itali më 2014 me 21 vite burg për trafik droge dhe ky rezulton se është precedenti i dytë i tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



