Drejtësia

Trafik droge deri në Finlandë, GJKKO lë në burg 9 anëtarët e grupit kriminal

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka vendosur vijimin e masave arrest në burg për 9 të arrestuarit si pjesë e 4 grupeve kriminale të trafikut të drogës kryesisht asaj sintetike që trafikohej nga Shqipëria, Spanja e Holanda drejt Finlandës.

Ata dyshohen se kanë drejtuar trafikun dhe kanë bërë të mundur transportin e 400 kg amfetaminë drejt vendit nordik.

Masa arrest në burg caktuar në mungesë u la në fuqi në prezencë të tyre këtë të enjte për:

Dorjan Luzaj

Geraldo Seferaj

Elton Myftari

Elton Tavani

Erind Teneqexhiu alias Agalliu

Kel Qevani

Ledion Hoxha

Besnik Sparta

Altin Musta

Dy prej anëtarëve të grupeve kriminale që drejtonin aktivitetin nga Shqipëria ndodhen ende në kërkim. Në konferencën e përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze u tha se krerët e këtyre grupeve ishin nga Vlora dhe Berati dhe e kontrollonin aktivitetin kriminal nëpërmjet telefonit.

Hetimet kishin nisur që prej vitit 2023, ndërkohë që në Finlandë janë lëshuar më herët plot 55 masa arresti në total për këtë grup kriminal.

Bëhet fjalë për një operacion ndërkombëtar të nisur dy vite më parë në Finlandë, ku është goditur një rrjet i gjerë trafiku droge, i cili drejtohej nga 4 grupe kriminale shqiptarësh.

Dy nga krerët e grupeve kriminale janë nga Vlora, ndërsa dy drejtuesit e tjerë të këtij grupi janë nga Kuçova e Berati, por me banim në kryeqytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë