Ka ndodhur

Trafik armësh (brenda televizorit) nga Shqipëria drejt Anglisë, 3 të arrestuar

Gazeta Si – Një 20-vjeçar, i identifikuar si Roseljo Arifi, është arrestuar mbrëmjen e të dielës në shëpinë e tij në Shkodër, i dyshuar si organizator i një grupi kriminal që trafikonin armë nga Shqipëria në drejtim të Anglisë nëpërmjet linjave direkte të autobusëve.

Sipas policisë, Arifi së bashku me dy të tjerë, Jurgen Susa dhe Segest Meti, të arrestuar dje, u zbuluan teksa drejt Anglisë kishin nisur një televizor, brenda të cilit kishin fshehur një armë zjarri të çmontuar së bashku me silenciator.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 vunë në pranga shtetasi: R. A., 20 vjeç, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Metoda”. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit J. S. dhe S. M. (të arrestuar ditën e djeshme), kanë tentuar të trafikojnë një armë zjarri, të cilën e kishin ndarë në pjesë të fshehur brenda një televizori, me qëllim dërgimin në Angli”, njoftoi policia ditën e sotme.

Mes anëtarëve të grupit, ka patur dëshmi kontradiktore për prezencën e pistoletës, por falë bisedave telefonike mes tyre, janë zbuluar edhe foto të ndryshme të armës së zjarrit.

Roseljo Arifi dhe Segest Meti

Gjithashtu është zbuluar edhe personi të cilit do t’i çohej porosia, për të cilin grupi përdorte nofka të ndryshme. Ka dyshime se ky grup ka trafikuar edhe më parë armë zjarri drejt Anglisë.

Sipas burimeve, policia ka marrë në pyetje 2 të arrestuarit e tjerë, Jurgen Suca dhe Segest Meti, të cilët deklarojnë se kanë qenë në dijeni për dërgimin e armëve, por përgjegjës bëjnë të tretin, Roseljo Arifi, i cili sipas tyre i ka thirrur për të kryer veprimtarinë e trafikut.

Po shtu, policia u ka sekuestruar të dyve celularët, ku janë gjetur biseda të shumta të tyre me Arifin, ku diskutohet për dërgimin e pistoletave jashtë në Britani të Madhe, foto të armëve dhe diskutime për shitje.

Dyshohet se të njëjtën veprimtari e kanë kryer edhe më herët, të paktën edhe 3 apo 4 herë, kryesisht përmes dërgimit të monopatinave.

Gjithnjë sipas burimeve, për të shmangur identifikimin, porositësve u jepej vetëm një numër telefoni për kontakt dhe u kërkohej të telefononin sapo të mbërrinin në destinacion. Marrësi i dërgesës paraqitej më pas, pa u identifikuar me emër.

Policia është në ndjekje të personave të tjerë të përfshirë dhe hetimet vijojnë në bashkëpunim me autoritetet britanike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë