SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, si edhe 3 të pandehurit e tjerë, avokatin Radovan Çela, Astrit Vladin dhe Eriona Daupaj.
Sipas SPAK, është provuar se të pandehurit Astrit Vladi, Radovan Çela, Eriona Daupaj dhe Aurel Zarka në bashkëpunim me njëri tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarë të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive, për secilin prej tyre.
Prokuroria e Posaçme njofton se është vendosur ndarja e çështjes penale dhe veçimi i akteve në lidhje me një sërë komunikimesh të kryera nga të pandehurit.
Konkretisht, nga aktet e këtij proçedimi penal janë veçuar aktet dhe janë regjistruar proçedimet penale:
Së pari, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve në lidhje me bisedat e kryera nga të pandehurit dhe personat e tjerë të administruara gjatë hetimeve, në përmbajtjen e të cilave përmënden persona të tjerë në cilësinë e prokurorëve, gjyqtarëve, funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, për të cilët pretendohet se kanë kërkuar apo kanë marrë përfitime të parregullta.
Së dyti, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve në lidhje me bisedat dhe komunikimet që janë administruar gjatë hetimeve, nga të cilat ekzistojnë të dhëna se edhe persona të tjerë mundet të kenë kryer ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që kanë ushtruar funksionin e prokurorit, gjyqtarit apo funksionarëve të organeve të tjera të drejtësisë.
Së treti, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve pasi nga burimet e provave të mbledhura gjatë hetimeve për këtë procedim penal janë krijuar të dhëna dhe dyshime se mundet të jenë kryer veprime që përmbajnë elementët e veprave penale të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.