Drejtësia

‘Toyota Auris’, dënohet me 2 vjet e 8 muaj burg avokati Radovan Çela

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka dënuar këtë të enjte me katër vjet burg avokatin Radovan Çela.

Çela, duke qenë se përfiton nga gjykimi i shkurtuar, do të vuajë 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Radovan Çela u vetëdorëzua në polici në fillim të marsit, pasi qëndroi për disa muaj në arrati.

Ai akuzohet nga SPAK se është përfshirë në korrupsion dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm në dosjen e njohur si “Zarka”.

SPAK thotë se Çela dhe magjistratja Eriona Daupaj, u përfshinë në korrupsion dhe ndikuan drejtësinë për disa çështje mes të cilave në zbutjen e rrethanave për të hetuarit në dosjen e Toyota Auris dhe disa pasuri të Suel Çelës.

Dosja në fjalë lidhet me sekuestrimin e 3.4 milionë eurove të fshehura në dy automjete tip “Toyota Auris” në Portin e Durrësit, një çështje e cila ka përfshirë disa emra të njohur të drejtësisë shqiptare.

Për të njëjtën dosje, u dënua disa ditë më parë me 4 vjet burg, ish-kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar përfiton ulje dënimi dhe do të vuajë 2 vite e 8 muaj burg.

Pjesë e hetimeve janë edhe dyshimet e SPAK se avokati dhe ish-kryeprokurori kanë ndërhyrë edhe në dosjen e të shumëkërkuarit Suel Çela për t’i liruar pasuritë e sekuestruara nga OFL.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë