Futboll

Torino sërish në sulm për Kumbullën, në garë dhe Fiorentina

Gazeta Si – Në merkaton e verës ka kërkesa për Marash Kumbullën, edhe pse mbrojtësi i Shqipërisë nuk vjen nga një sezon shumë pozitiv me Romën. Torino është pista më e mundshme e momentit, por edhe Fiorentina e ka në plane lojtarin kuqezi.

Torino shiti pak ditë më parë brazilianin Bremer te Juventusi dhe si zëvendësues të tij sheh pikërisht Marash Kumbullën. Lajmi bëhet i ditur nga ‘La Stampa’. Mbrojtësi ka kontratë me Romën deri në vitin 2025 dhe duhet bindur trajneri Mourinjo për ta lejuar të largohet.

Kumbulla në një dyluftim ajror me Levandovskin. Gazeta Si, 25 korrik 2022

Kumbulla njihet mirë nga trajneri Ivan Juriç. Ishte ai që e lançoi në Serinë A, kur të dy ishin pjesë e Veronës. Te Roma futbollisti shkodran nuk ka pasur hapësirat që pritej, pak ndeshje ka luajtur si titullar.

Ndoshta mund të largohet, edhe pse Roma nuk ka shumë alternativa për mbrojtjen për momentin.
Për lojtarin kuqezi interesohet edhe Fiorentina, që po kërkon mbrojtës në merkato. Gjithçka varet nga ofertat konkrete dhe për momentin nuk ka një të tillë bindëse për Romën dhe Kumbullën.

Përveç mrojtësit, Fiorentina kërkon edhe një lojtar tjetër të Kombëtares, mesfushorin Nedim Bajrami.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë