Politike

Topalli përlotet në Kuvend: Në 2013 tatëpjeta e PD mori vrapin

Jozefina Topalli ngjiti e përlotur shkallët e Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha. Ajo foli nga podiumi kryesor i skenës së ngritur në Pallatin e Kongreseve para anëtarëve të Kuvendit.

“Pas zgjedhjeve të 2013 ishim mësuar të ishim pjesë e një partie që fitonte zgjedhjet. Sa herë që PD fitonte ne ishim në gjendje të bënim ndryshimin. Kemi bërë e gabime e të gjithë biem dakord por ama në pushtet qeverisnim e në opozitë ishim të fortë e të vërtetë.

Opozita jonë, në vitet më të gjata, të vështira të opozitës para 2005 askush nuk na quajti opozitë e rremë.

Nuk mendonim se mund të korruptoheshe në opozitë, nuk vinim gjoba, nuk shisnim misionin e opozitarizmit, nuk digjnim mandate, nuk i iknim përgjegjësive e nuk imagjinonim të hidhnim gaz ndaj njerëzve tonë.

Ishim mësuar të bënim beteja për të vërtetat tona, pa llogaritur sa na kushtonin, të mbanin nën kontroll qeverisjen, por erdhi dita kur PD mos i mbeste asgjë demokratike atje lart në udhëheqjen e saj”, tha ajo.

Më tej Topalli shtoi: “Kur gjërat ngatërrohen fundi i tyre duhet filluar nga fillimi. Fillimi ynë e atyre që nuk janë sot në këtë sallë por në zemër e mendje janë po aq demokratë sa diten e parë është arsyeja që jam sot këtu.

Cili ishte fillimi i rënies sonë? Dita kur filluan të rrëzohen vlerat, për vite me radhë kjo ka ndodhur e ne kemi heshtur.

Në 2013, tatëpjeta e PD mori vrapin. S’kishte nevojë për analiza për të kuptuar që kishte gjëra që nuk shkonin, disa përqafuan kryetarin e ri me shpresë se e ardhmja do buzëqeshte, por e ardhmja ngjante gjithnjë e më shumë me një rrokopujë e jo rrallë të shfaqej dhe më banale.

Në krizë të thellë identiteti, përfaqësimi, lidershipi. Në parlament deputetët bënin betejë me krimin, ndërkohë udhëheqja me buzëqeshje bënte pazare me pushtetin.

Në rrugë qytetarët protestonin për të drejtat e tyre në zyrën e kryetarit të PD kishin nisur negociatat për lejet e ndërtimit, në shtëpitë e shqiptarëve kishin nisur largimet nga puna, në shtëpinë e kryetarit shtohej puna për kunatin, në vend të gjithëpërfshirjes erdhi përjashtimi, nisi shpallja e grupeve armiqësore”.

Në vend të bashkëpunimit nisi përcarja, në vend të parlamentit, sipsa saj, cadra, në vend të pranimit të humbjes humbja nisi të quhej fitore.

“Në 2017 e perceptuan të parët shqiptarët, jo thjesht për rezultatin e zgjedhjeve por për largimin e shqiptarëve nga vendi”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë