Futboll

Toni Kros: Biond me sy të kaltër, shumë njerëz më bënë nazist kur kritikova Ozilin

Gazeta Si – Mesfushori i Real Madridit, Toni Kros, ka qenë i padiskutueshëm për këdo që ka shkuar ‘Bernabeu’, edhe Gjermania me të e ka pasur jetën më të thjeshtë në Botërorin e 2014-ës. Ai nuk shfaqet shpesh në media, është një tip i heshtur. Ose ndoshta zgjedh interlokutorë të veçantë, siç është presidenti i Republikës gjermane, me të cilin ka folur për atë çfarë ndodhi pas Botërorit.

“AS” bën me dije se lojtari pak kohë më parë ka pasur një bisedë në Instagram me Frank-Valter Steinmeier, presidentin e Republikës. Jo një person i zakonshëm. Mes argumenteve që Kros ka prekur në lidhjen me qytetarin e parë të Republikës Federale të Gjermanisë ishte dhe çështja ‘Ozil’. Kros ka thënë se u sulmua nga të gjithë në rrjetet sociale, kur kritikoi Ozilin për mënyrën si u largua nga kombëtarja.

Toni Kros, mesfushori gjerman i Realit. Gazeta Si, 21 shkurt 2022

Një qëndrim që u shoqërua me akuza të rënda për futbollistin gjerman. “Pas Botërorit të 2018-ës thashë se nuk më pëlqeu mënyra si Ozil u largua nga kombëtarja gjermane dhe shumë njerëz më bënë nazist. Biond, me sy të kaltër, për shumë njerëz isha fiks një nazist. Ishte një moment i vështirë për t’ua kaluar”, – tha Kros, i cili, nisur edhe nga përvoja personale, ka përfituar për të folur me presidentin për dhunën verbale në rrjetet sociale.

Kjo temë i prek shpesh si sportistët, ashtu edhe politikanët. “Sot kushdo mund të fshihet pas një profili fals dhe mund të sulmojë dike që nuk e njeh. Besoj se ju ka ndodhur edhe ju. Ashtu si futbollistët, edhe politikanët janë figura popullore”, – ka shtuar Kros. Analiza social-kulturore e mesfushorit duket shumë e saktë, ashtu si ajo çka bën në fushë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë