Gazeta Si – Gjykata e Lartë ka vendosur në një linjë me Gjykatën e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, (GJKKO) për hetimet ndaj Olta Xhaçkës.
Togat e zeza vendosën kundër rekursit të Fredi Belerit për hetimin e ish-ministres së Jashtme dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, lidhur me privatizimin e tokave në Himarë, ku do ndërtohej resort turistik, dhe mbi të cilën morën statusin e investitorit strategjik.
SPAK vendosi dy herë mosfillimin e procedimit penal, teksa Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Orbganizuar e urdhëroi ta hetonte kallëzimin e Fredi Belerit pasi kishte elemente që ngrinin dyshime të arsyeshme për konsumim të veprave penale.
SPAK nuk u pajtua dhe pasi e mbajti për disa ditë sërish dosjen, iu drejtua Apelit Antikorrupsion, ku kjo e fundit ndryshe nga Shkalla e Parë i dha të drejtë SPAK-ut.
Tashmë Shkalla e Tretë me relator Sokol Binaj dhe anëtar Ilir Panda e Sandër Simoni në në seancën gjyqësore të të hënës, la në fuqi vendimin e Apelit, pra që çifti Xhaçka-Gaçi të mos hetohen.
Beleri kërkonte pikërisht të kundërtën dhe të urdhërohej SPAK që të hetonte ish-ministren dhe bashkëshortin e saj.
Beleri e kallëzoi Xhaçkën dhe ish-deputetin socialist, Artan Gaçi, për disa vepra penale falsifikime të dyshuara për marrjen e rreth 10 mijë m2 tokë.
E teksa refuzoi hetimin e çiftit socialist, SPAK mori të pandehur për shpërdorim detyre ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, lidhur me tjetërsimin e dy sipërfaqeve të tokës mbi të cilat Artan Gaçi mori statusin e investitorit strategjik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



