Gazeta Si – Shteti i Togos ka bërë publik në Beograd vendimin për tërheqjen e njohjes si shtet i pavarur të Kosovës. Lajmi u bë publik nga vetë Ministri i Punëve të Jashtme, Integrimit Rajonal dhe Diasporës i Togos, Robert Dussey, i cili konfirmoi “mbështetjen e parezervë” për integritetin territorial të Serbisë.
“Ne në Togo njohim vetëm një Serbi. Jam i lumtur që ju dëgjoj duke përmendur tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe ju njoftoj se ky është një vendim përfundimtar”, u shpreh Robert Dussey.
Togo e njohu pavarësinë e Kosovës në korrik të 2014-ës, me në firmë të hedhur po nga i njëjti ministër i Jashtëm që është në detyrë dhe tani.
Ndërsa Serbia ka pretenduar që prej 2019-ës se Togo ka tërhequr njohjen e Kosovës. Sipas Vuçiç këtë shembull e kanë ndjekur dhe disa shtete të tjera të botës, por qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë këto pretendime.
Për Kosovën janë 117 vende që njohin pavarësinë, ndërsa Daçiç pretendon se që nga 2008, të paktën 27 shtete kanë kthyer vendimet e tyre lidhur me këtë çështje. Ndërsa Vuçiç më 4 janar deklaroi se Serbia po pret shtetin e dhjetë, që sipas tij, do të tërheqë njohjen e Kosovës, por pa specifikuar se për cilin shtet bëhet fjalë.
Vuçiç pretendoi se nëntë shtete veçse kanë tërhequr njohjen e Kosovës: Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Esvatini, Libia, Guniea, Antigua dhe Barbuda, Shën Lucia dhe Maldivet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.