Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, e argumentoi tkurrjen e ekonomisë në dy tremujorë radhazi me efektin negativ që kanë dhënë lojërat e fatit.
“Lojërat e fatit kanë pasur një efekt negativ në rritjen ekonomike në tremujorin e parë dhe të dytë sipas parashikimeve në -0.6 dhe -0.7% përkatësisht. Ky ndikim do të absorbohet gradualisht pasi lojërat e fatit kanë pasur problemet e tyre, që kanë të bëjnë me informalitetin, me evazionin fiskal dhe me shumë elemente të tjera. Gjithsesi, ndikimi i tyre në ekonomi ka qenë -0.6 dhe -0.7% për tremujorët përkatës”, u shpreh guvernatori Sejko.
Ai deklaroi se politika monetare do të vijojë të jetë lehtësuese për të stimuluar ekonominë duke paralajmëruar uljen të normave bazë të interesit në 2020.
Kursin e këmbimit këtë vit guvernatori e ka vlerësuar më të stabilizuar krahasuar me vitin e kaluar. Ai tha se kemi pasur një mbiçmim të kursit të këmbimit kryesisht gjatë sezonit të verës nga efekti sezonal, turizmi, por mbiçmimi i kursit të këmbimit ka qenë më i lehtë sesa ai i vitit të kaluar dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë kanë qenë më të përgatitur për të përballuar rrezikun e mbiçmimit të kursit të këmbimit.
Ne jemi një ekonomi me deficit tregtar, shpjegoi ai, që do të thotë se kemi më shumë importe sesa eksporte. “Sektori që është më i prekshëm dhe i ndjeshëm ndaj mbiçmimit të kursit të këmbimit është eksporti, sepse eksportuesit eksportojnë në euro, por përdorin lekun për lëndët e para, pagesat dhe shpenzimet e tjera që ata kanë nevojë. Ndërkohë që në të kundërt është sektori importues. Duke qenë se ne kemi më shumë importe sesa eksporte në nivel ekonomie kursi i këmbimit, në nivel ekonomie si e tërë nuk ka pasur efekt të fuqishëm negativ këtë vit”, argumentoi Sejko.
Ne kemi interes ta mbështesim sektorin eksportues, tha ai, por si bankë qendrore e vlerësojmë kursin e këmbimit si një faktor që ndikon pozitivisht ose negativisht në inflacion. Mbiçmimi i kursit të këmbimit, vijoi shpjegimin guvernatori, ka efektin e tij negativ në normën e inflacionit të synuar që ne si bankë qendrore e kemi objektiv të përcaktuar me ligj.
Kursi i këmbimit është shfaqur i stabilizuar, për guvernatorin, i mbiçmuar por i stabilizuar. Dhe BSH po e monitoron, por nuk është në nivelet e ndërhyrjes.
Këto ditë kursi i këmbimit ka pasur një nënçmim, pra euro ka filluar të fitojë pikë ndaj lekut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.