Këshilli Mbikëqyrës ka vendosur në mbledhjen e radhës revokimin e licencës së Bankës së Kreditit të Shqipërisë sh.a., për shkak të fillimit të procesit të likuidimit vullnetar nga ana e vetë bankës.
Banka e Kreditit të Shqipërisë ka rezultuar përherë me një aktivitet minimal dhe aspak konkurrues në vend. Sipas të dhënave zyrtare, në fund të 2018-s, banka zotëronte vetëm 0.08% të totalit të aktiveve të sistemit bankar shqiptar. Banka nuk ka dhënë kredi dhe depozitat në të janë sa 0.01% e totalit të depozitave të gjithë sistemit, në fund të 2018-ës.
Likuidimi i kësaj banke e çon numrin e bankave të nivelit të dytë në vend në 12.
Dy vitet e fundit, sistemi bankar ka qenë shumë i hapur ndaj transaksioneve të shitjeve dhe blerjeve të bankave.
Pas shitjes së Societe Generale nga OTP, në përfundim transaksioni është edhe Tirana Bank, nga grupi shqiptar Balfin.
Miratohet rregullorja “Vlerësimi për qëllimet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme”
Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ditën e djeshme ka miratuar edhe Rregulloren që përcakton kriteret, kushtet dhe mënyrën e zgjedhjes së vlerësuesit të pavarur nga Banka e Shqipërisë si dhe kërkesat bazë për mënyrën e kryerjes së vlerësimeve për qëllimet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme.
Njëkohësisht kjo rregullore ka për qëllim të përcaktojë metodologjinë e vlerësimit të diferencës në mënyrën e trajtimit, për të vlerësuar nëse aksionarët dhe kreditorët do të ishin në një pozitë më të favorshme në rast se do të kishte filluar procedura e likuidimit të detyruar në vend të procedurës së ndërhyrjes së jashtëzakonshme, si dhe metodologjinë e përshtatshme për përcaktimin e vlerës së detyrimeve që rrjedhin nga produktet derivative.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.