Gazeta Si – Gjykata e Posaçme, ka dënuar me 3 vite e 1 muaj burg ish-kreun e Bashkisë së Himarës Jorgo Goron, për “shpërdorim detyre” dhe fshehje e mosdeklarim pasurie” në dy raste, për tjetërsimin e pronave në bregdet, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të kryejë vetëm 2 vite e 20 ditë burg.
Ndërkohë, GJKKO ka dënuar me 2 vite burg Vezir Gjikokën, i cili falë gjykimit të shkurtuar do të vuajë 1 vit e 4 muaj Jerasimo Basho dënohet me 3 vite burg dhe nga gjykimi i shkurtuar do vuajë 2 vite burg.
Gjykata vendosi se rreth 10 mijë m2 tokë në zonën e Dhërmiut do të kalojnë në favor të shtetit, ku ishte përfituar nga ish-deputeti socialist, Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes dhe ish-ministres, Olta Xhaçka. Po ashtu, janë konfiskuar 2 prona që do kalonin për investime strategjike, ndërsa një apartament, sipas gjykatës, i sekuestruar më parë, do t’i kthehet biznesmenit Gentian Sula.
Në rastin e parë, sipas prokurorisë, Goro bashkë me dy ish-drejtorët e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi dhe Vasillaq Strakosha kanë përcjellë te institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5,500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit.
Edhe në rastin e dytë, të dy ata, referuar Prokurorisë, kanë zhvendosur në terren një sipërfaqe toke bujqësore mbi 5 mijë metër katrorë, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Më pas, kjo pronë është shitur te investitorët, duke u dhënë edhe një leje ndërtimi për një kompleks turistik.
Jorgo Goro u arrestua në mars të vitit të shkuar, ndërsa gjatë seancave gjyqësore i ka mohuar akuzat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



