Drejtësia

Tjetërsimi i pronave te ‘Rana e Hedhun’, arrestohet topografi Luigj Paloka

Nga Gazeta ‘Si’– Policia e Lezhës arrestoi topografin e shpallur në kërkim dhe dënuar në mungesë me 5 vite burgim për tjetërsimin e pronave në bregdet.

Luigj Paloka i kishte shpëtuar drejtësisë deri më sot për tre akuzat e shpërdorimit të detyrës, grupit të strukturuar kriminal dhe falsifikimit, teksa ishte hetuar dhe gjykuar në mungesë për dosjen e tjetërsimit të 234 mijë metrave katrorë tokë në bregdetin e “Ranës së Hedhun”, ku të pandehur kanë qenë një grup me të paktën 11 persona nga Prokuroria e Posaçme.

Pjesë e kësaj dosjeje ka qenë edhe ish-kryebashkiaku demokrat i lezhës, Fran Frrokaj, që gjithashtu është dënuar për tjetërsimin e tokave në bregdet.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi dosjen e SPAK për gjykim.

Vendimi i dënimit për fraksionin ku bënte pjesë dhe Paloka u dha në vitin 2022 nga Apeli i GJKKO me formë të prerë, teksa SPAK paralelisht pati edhe dosjen e dytë që e procesoi më 2023.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë