Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka dënuar me 10 muaj burg në mungesë Aleksandër Lahon, i njohur edhe me emrin Pëllumb Muharremi, për akuzën e korrupsionit pas hetimeve për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Gjirit të Lalzit.
SPAK kërkoi dënimin me 3 vite heqje lirie, por në fund gjykata e dënoi me 1 vit e 3 muaj burg dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar iu ul një e treta e këtij dënimi.
Sipas hetimeve të prokurorisë, Aleksandër Laho, i cili njihet ndryshe edhe si ‘Rrumi i Shijakut”, i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku shumën prej 600 mijë lekë dhe i ka premtuar dhe 300 mijë lekë më shumë, me qëllim që të mos ushtronte ankim për një çështje pronësie.
Sipas SPAK, Laho e ka dhënë ryshfetin për mos ankimin në Apel të një çështje lidhur me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.
Laho mbeti i plagosur në vitin 2019 në atentatin që iu bë Prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj, ku nga të shtënat me armë zjarri mbeti i vrarë shoferi i këtij të fundit, Andi Maloku.
Në atë kohë atij iu sekuestrua telefoni nga ku rezultoi një video, ku ai po komunikonte me një zyrtar të avokaturës se shtetit për rastin korruptiv. Kjo është pranuar edhe nga Kërçuku, i cili është dënuar me 2 vite burg për akuzën e korrupsionit.
“Rrumi” është një eksponent i njohur i krimit. Ai rezulton i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit si i dyshuar në pengmarrjen e 2 vëllezërve Beqiraj, të cilët dyshohet se janë përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale, përfshi edhe mbajtjen nën vëzhgim të vetë Pëllumb Muharremit.
Avokati i tij ka pretenduar se ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore për shkak se pas atentatit në vitin 2019 nuk mori ndërhyrjen e duhur mjekësore dhe nga plumbat ka mbetur i dëmtuar, duke i gjymtuar edhe një këmbë.
Në atentatin e 1 nëntorit të 5 viteve më parë në autostradën Durrës-Tiranë pranë Shkozetit, mbeti i plagosur edhe prokurori Arjan Ndoj, ndërsa humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku.
Për këtë ngjarje, GJKKO vendosi dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin Redjan Rraja, nip i ish-dpeutetit socialist, Rrahman Rraja, ndërsa me 35 vite burg u dënua Arjol Halilaj.
SPAK, pas zbardhjes së komunikimeve në rrjetin “Sky ECC”, arriti të zbulojë edhe grupin që porositi dhe kreu atentatin, mes tyre dhe Plaurent Dervishaj, i ekstraduar para disa muajsh nga Dubai në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.