Gazeta Si – Sipërfaqja prej 10 mijë metrash katrorë buzë kanalit të Çukës në Sarandë ishte projektuar për t’u shndërruar në hapësirë publike.
Por me tjetërsimin e kryer me dokumentet e falsifikuara u shndërrua në kantier ku u ndërtua një hotel.
Pikërisht për këtë, dy vëllezër biznesmenë janë shpallur në kërkim pas operacionit të prokurorisë.
Biznesmeni 40-vjeçar Behar Muçobega akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Ndërsa i vëllai i tij, Bedri Muçobega, 50 vjeç, akuzohet për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Dy vëllezërit, me anë të falsifikimit të dokumenteve, duke përdorur identitetet e tre qytetarëve dhe njohjet në Bashkinë dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës përvetësuan rreth 10 mijë metra katror truall shtetëror.
Burime paraprake, shprehen se në pranga kanë rënë edhe personat që kanë përfituar nga ky tjetërsim pronash.
Bëhet fjalë për Fredi Mërkurin, Valter Llomin dhe Argonida Canaj. Ata akuzohen për falsifikim dokumentesh, me të cilat kanë përfituar edhe tokën.

Pasi toka shtetërore kaloi në emrin e 3 qytetarëve nga Saranda, më pas vëllezërit biznesmenë kryen një blerje fiktive, duke e kaluar pronën në emër të tyre e më pas e shfrytëzuan.
Po ashtu në kërkim është shpallur edhe ish-drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Sarandë, Ardian Kola i cili nuk mundi të arrestohej, sepse ndodhet në Angli pas dhënies së dorëheqjes nga ky institucion në vitin 2020. Më herët Kola ka qenë dhe kryetar i Partisë Socialiste të këtij qyteti.
Dyshohet se gjatë kohës që ka drejtuar Agjencinë Shtetërore të kadastrës në Sarandë me anë të firmës së tij ka lejuar tjetërsimin e pronës shtetërore.
Një ditë më parë, u arrestua nga policia Pandi Zhonga, drejtor i Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës, së bashku me juristen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Rovena Alikaj si dhe Aleko Anagnostin, noter.
Ndërkohë, pas hetimeve të Prokurorisë për tjetërsimin e pronës shtetërore, Gjykata e Sarandës ka vendosur të sekuestrojë sipërfaqen e tokës prej 10 230 m2, në Turizëm-Kanal i Çukës Sarandë, në afërsi të vijës bregdetare.
Organi i akuzës thotë se janë nën hetim janë 10 persona, të dyshuar për veprat penale “shpërdorim i detyrës” dhe pastrimi i parave. Ata janë nëpunës shtetërorë, biznesmenë dhe shtetas të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




