Gazeta Si – Ka shkuar në katër numri i të ndaluarve në kuadër të operacionit “Tjetërsimi i Lagunës” nga Prokuroria dhe Policia e Lezhës, pasi u konstatua se një grup personash kishin tjetërsuar pronësinë për një pjesë të zonës përreth lagunës së Kunes.
Policia njofton se kanë ndaluar 62-vjeçari Pjetër Luka, banues në Grykë Lumi, Tale, me detyrë kryetar i këtij fshati, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
“Ky shtetas, dyshohet se në periudha të ndryshme kohore, ka përpiluar dhe lëshuar dokumente të falsifikuara, me qëllim tjetërsimin e kësaj prone, në favor të të tretëve. Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dokumente të ndryshme të dyshuara të falsifikuara (me të dhëna të rreme)”, bën me dije policia.
Më herët policia arrestoi në kuadër të këtij operacioni drejtorn e Administratës së zonave të mbrojtura Pjetër Toni dhe dy vartësit e tij Armandi Lleshaj dhe Tom Gjelaj.
Sipas prokurorisë, këta persona nuk kishin përmbushur detyrat funksionale të përcaktuara në ligjet dhe aktet nënligjore për funksionet e tyre.
Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, ata kanë sjellë dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune – Vainit, konkretisht në vendin e quajtur “Grykëderdhja e Matkeqës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




