Drejtësia

Tjetërsimi i pronave në Himarë, SPAK lëshon urdhër-arresti të dytë për Jorgo Goron

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka miratuar një tjetër masë sigurie “arrest me burg” për ish-kryetarin e Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, për dhënien padrejtësisht si kompensim të një sipërfaqeje toke.

Sipas SPAK, ai i ka dhënë në kundërshti me ligjin 4200 metra katror tokë kreut aktual të bashkisë së Himarës, Arqile Bollano.

“Si rezultat i veprimeve të Bashkisë Himarë, shtetasi A.B. ka përfituar sipas Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi nr….., datë 25.08.2016, një sipërfaqe toke prej 4263 m2. Kjo sipërfaqe toke është përfituar në mënyrë të paligjshme pasi hetimi ka provuar se shtetasi A.B. është trajtuar me tokë bujqësore bazuar në Ligjin nr. 7501/1991 “Për Tokën” sipas AMTP nr…….., datë 08.03.1996, me sipërfaqe totale 7700 m“, thuhet në njoftimin e SPAK.

Në këtë rast, dhënia e pronësisë thotë SPAK është bërë në kundërshtim me ligjin. Sipas SPAK, Goro akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Goro ndodhet në qeli që prej muajit mars të këtij viti, për akuzën e shpërdorimit të detyrës edhe për dy procedura trajtimi pronash.

Në të parin duke shmangur Këshillin e Qarkut për sipërfaqen prej 5512 metra katrorë tokë dhe mbi bazën e dokumentit të tij, toka u regjistrua në Kadastër në kundërshtim me ligjin dhe më pas iu shit nga Stavri Mëhilli ish-deputetit Gaci, me një vlerë relativisht të ulët krahasimisht me tregun.

Stavri Mëhilli e kishte siguruar pronën përmes dokumenteve false e për këtë, ai është shpallur në kërkim, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Kryebashhkiaku në detyrë i Himarës akuzohet edhe për sipërfaqen prej 5080 metra katrorë, që po ashtu në finale ka kaluar në duart e bashkëshortit të Olta Xhaçkës. Në lidhje me këtë sipërfaqe, ai e ka kaluar përgjegjësinë tek Drejtoria e Menaxhimit në tokës.

Goro ka deklaruar para prokurorëve, se thjesht ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni drejtuar Kadastrës së Vlorës pas përpilimit të dokumentacionit nga drejtoria përkatëse. Por sipas SPAK, Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, në atë kohë drejtori i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, pa kryer verifikime kanë përcjellë dokumente të falsifikuara pranë organeve kompetente dhe mbi bazën e tyre, ka bërë të mundur regjistrimin e sipërfaqes prej 5512 m2 tokë bujqësore pronësi shtet në favor të subjektit “Pribta”.

Prokuroria thotë më tej së ka kryer veprime faktike në terren të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 5080 metra katrorë duke ia mbivendosur atë një pasurie toke shtet. Goro pritet të dalë për masë sigurie në Gjykatën e Posaçme të martën. Bashkë me të do të njihen me masat edhe Vezir Gjikoka dhe Bilbil Aliaj. Jerasimo Bashi dhe Stavri Mëhilli nuk janë gjetur ende nga policia, ndaj masat e sigurisë për ta nuk janë ekzekutuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë