Drejtësia

Tjetërsimi i pronave në bregdet, dënohet me 2 vite burg ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite burg ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro për “shpërdorim të detyrës” në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqeje trualli në bregdet. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 1 vit e 4 muaj heqje lirie.

Po ashtu ndaj Goros rëndon vendimin për heqjen e të drejtës për të mbajtur funksione publike për 5 vite.

Gjithashtu, dënimi me 1 vit e 6 muaj burg u dha për Vasillaq Strakosha, dënim që u ul në 1 vit heqje lirie. Edhe Strakoshës i është hequr e drejta për të mbajtur funksione publike për 5 vite.

Çështja është ngritur pas kallëzimit të Fredi Belerit, i cili akuzon Goron se në vitin 2016 ka tjetërsuar një sipërfaqe prej 4,263 metra katrorë tokë duke ia kaluar Arqile Bollanos, i komanduar si pasues në krye të Bashkisë Himarë.

Ndërkohë për një çështje tjetër, Goro u gjet fajtor për shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie duke u dënuar me dy vite e 20 ditë heqje lirie. Gjykata shpalli fajtor për shpërdorim detyre edhe dy ish-zyrtarët Vezir Gjikoka dhe Jerasimo Basho.

Tre të pandehurit në këtë proces u morën nën hetim nga Prokuroria e Posaçme dhe u gjykuan se në shpërdorim të detyrës lejuan tjetërsimin e një sipërfaqe toke dhe kalimin nga pronë shtet te privatët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë