Drejtësia

Tjetërsimi i pronave / Apeli i GJKKO rikthen në burg ish-kreun e Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj pas lirimit nga amnistia

Gazeta Si - Tetë muaj pas lirimit nga amnistia, Gjykata e Apelit të Posaçëm ka dënuar me 2 vite e 8 muaj burg ish-kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj.

Ish-zyrtari vendor u gjet fajtor për akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me tjetërsimin e pronave  në vendin e njohur si Rana e Hedhun.

Frrokaj u dënua nga Shkalla e Parë me 1 vit e 4 muaj burg, ndërsa Apeli vendosi dënimin me 2 vite e 8 muaj heqje lirie.

Së bashku me Frrokajn u dënua edhe Bledar Cara me 1 vit e 4 muaj burg. Ish-kryebashkiaku duhet të kthehet në qeli pas 8 muajsh liri, ku pritet për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit. Ai përfitoi nga amnistia penale dhe u lirua nga burgu i Reçit në 24 prill të këtij viti.

Krahas dënimit për ish-zyrtarin e lartë, u vendos dhe heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Hetimi i nisur nga SPAK në vitin 2019 provoi se ish-kryebashkiaku dhe 5 zyrtarë duke shpërdoruar detyrën kanë lejuar tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun.

SPAK thotë se gjatë viteve kur Fran Frrokaj ka mbajtur detyrën e kryebashkiakut janë përfituar në mënyrë të paligjshme 66 mijë metra katrorë tokë në bregdetin e Lezhës që janë tokë shtet.

Kjo sipërfaqe toke kap vlerën e 13 milionë Euro, është konfiskuar me vendim gjykate dhe i kalon në favor shtetit.

Frrokaj ishte dënuar me herët nga Gjykata e Apelit në Shkodër me 3 vite burg po për tjetërsim pronash. Për atë procedim penal, ish-kryebashkiaku i Lezhës ka qëndruar në qeli për 19 muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë