Gazeta Si – Gjykata e Vlorës ka lëshuar 24 urdhër arreste, ku mes tyre ka edhe ish-zyrtarë të cilët dyshohet të jenë përfshirë në afera për tjetërsim pronash në bregdetin e Himarës.
Për hetimin e nisur 1 vit më parë lidhur me tjetërsimin e pronave në bregdet, është arrestuar këtë të enjte edhe ish-kreu Qarkut të Vlorës, Anesti Dhimojani.
Bëhet fjalë për 59.889 m2 tokë në zonën e Dhërmiut, Gjilekës, Jalit dhe të Livadhit me vlerë 8 mln euro, të cilat janë sekuestruar.
Tetë prej të arrestuarve, janë lënë në “arrest shtëpie” dhe pjesa tjetër po hetohen në gjendje të lirë, për veprimtari kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve.
Mbi të arrestuarit rëndojnë akuzohen për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve“, të kryera me shumë se një herë, në bashkëpunim.
Hetimet për tjetërsim pronash janë shtrirë për dokumentacion të lëshuar para 10 vitesh.
Masa “Arrest me burg”: Arqilea Veizi, Spiro Dhima, Serxhio Joshi, Denis Kokaveshi, Vasillo Mëhilli, Artur Duni.
Masa “Arrest shtëpie”: Andres Gjezo, Ilia Ruçi, Spiro Leka, Dhimitri Leka, Niko Leka, ish kreu i Qarkut të Vlorës Anesti Dhimojani, Angjelo Gjoka, Jani Marko.
Masa “Detyrim paraqitje”: Pavllo Xani, Epaminonda Beleri, Sofia Beli, Arenusha Leka, Jani Zbogo, Mihallaq Ruci, Gjyzele Alibeaj, Antigoni Andruco.
Pas një hetimi 1-vjeçar, faza e dytë e operacionit policor të koduar “Formulari” u vunë në pranga 6 persona.
Ndërsa në kërkim janë shpallur P. L., 49 vjeç, banues në Dhërmi dhe I. Gj., 42 vjeç, banues në Himarë, pasi Gjykata iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për të njëjtat vepra penale.
Dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar formularët e AMTP-së, për të përfituar sipërfaqe toke në zonën e bregdetit, në Himarë dhe në Dhërmi.
Skema si u bënë pronarë të tokave në Dhërmi dhe Himarë
Në hetim janë punonjës të Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, të cilët në bashkëpunim me persona të tjerë, gjatë vitit 2020 e në vijim kanë nxjerrë nga arkivat e kadastrës së Këshillit të Qarkut Vlorë dokumente origjinale si Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi, Akte të Marrjes së Tokës në Përdorim, Formularë nr.6 etj, dokumente të cila janë riprodhuar duke hequr origjinalet e ndara sipas ligjit.7501 “Për ndarjen e tokave bujqësore” duke i zëvendësuar ato me dokumente të riprodhuara dhe të falsifikuara, duke shtuar në to sipërfaqe fiktive të tokës në bregdet.
Më pas dokumentet e falsifikuara janë rifutuar në arkivën e D.A.M.T-së pranë Këshillit të Qarkut Vlorë si dokumente origjinale dhe nga ana e personave të interesuar është kërkuar kopje e njehsuar e tyre në rrugë zyrtare me kërkesë në Kadastrën e Qarkut Vlorë.
Në vijim kopja e njehsuar e këtyre dokumenteve pronësorë me shkresë përcjellëse, u dërgohej personave të interesuar, Bashkisë Himarë ose Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë, me qëllim për t`u përdorur më pas për dhënien e akteve të reja të pronësisë dhe hipotekimin e tyre pranë A.SH.K.Vlorë.
Para një viti, në kuadër të operacionit “Formulari”, janë vënë në pranga 3 persona, 2 prej të cilëve ushtronin funksione publike.
Arrestimi i tij vjen pas arrestimit të një sërë funksionarësh publik në Vlorë, si ish kreu i kadastrës së Vlorës, Klodian Troci dhe 2 punonjës të qarkut të Vlorës dhe disa punonjësve të bashkisë së Himarës.
Më herët Trocit iu sekuestruan 60 mijë euro dhe një sërë formularësh 6 dhe AMTP.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




