Ka ndodhur

Tjetër vetëvrasje te “Shefqet Ndroqi”, i sëmuri me Covid hidhet nga kati i katërt

Një 52-vjeçar ka ndërruar jetë pasi është hedhur nga kati i katërt i spitalit “Shefqet Ndroqi”, njohur ndryshe edhe si spitali “Covid 2”.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele.

Raportohet nga policia se pacienti është hedhur nga kati i katërt, rreth orës 03:10. Pacienti quhej Preng Gjonaj dhe ishte 52 vjeç, nga Tropoja. Pacienti ishte shtruar pak ditë më parë në këtë spital pasi kishte rezultuar pozitiv me Covid-19.
Ky është rasti i tretë i pacientëve që vetëhidhen nga spitali “Shefqet Ndroqi”, qysh prej kohës që ky i fundit u shndërruar në spital për shtrimin dhe kurimin e pacientëve të prekur nga Covid-19.

Rasti i parë u regjistrua në muajin gusht, kur një 29-vjeçar u hodh po nga kati i katërt duke gjetur më pas vdekjen, ndërsa në fillim të shtatorit u hodh një 65-vjeçar. Në rastin e 65-vjeçarit u mësua se ai ishte shtruar prej vetëm dy ditësh në këtë spital në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa në rastin e të riut 29-vjeçar, mjekët thanë se ai ishte drejt shërimit.

Arsyet e këtyre vetëvrasjeve mbeten ende mister, ndërkohë që Prokuroria ka nisur hetimet më 3 shtator për dy rastet e para.

Kapisyzi: 52-vjeçari nuk kishte shfaqur shenja të problemeve mendore
Dr. Perlat Kapisyzi, drejtor i spitalit “Shefqet Ndroqi”, tha për mediat në mesditë se i ndjeri ishte shtruar në 25 tetor dhe nuk kishte shfaqur shenja të problemeve mendore.
“Sot në orën 3 te mëngjesit, ka ndodhur nje ngjarje e rëndë që na ka tronditur pa masë të gjithëve: mjekët, infermierët në shërbim por edhe të gjithë stafin e spitalit tonë që bën një luftë heroike çdo ditë për të shpëtuar jetë. 52-vjeçari ishte shtruar në datë 25 tetor në spitalin “Shefqet Ndroqi”, me pneumoni shumë të rëndë, të shkaktuar si pasojë e virusit SARS COV2.
I janë kryer menjëherë të gjitha ekzaminimet radiologjike, laboratorike, është vendosur në mjekim sipas të gjitha protokolleve bashkëkohore, duke mos i munguar në asnjë moment shërbimi dhe përkujdesi mjekësor dhe infermieror. Në emër të stafit të spitalit që unë drejtoj, shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të 52-vjeçarit që i dha fund jetës.
Sipas të dhënave të disponueshme gjatë kohës së qëndrimit në spital, pacienti nuk ka manifestuar shenja të çrregullimeve psikologjike si në momentin e shtrimit edhe gjatë terapive të mjekimit. Ky është një moment i vështirë për ne. Kjo është një ngjarje e hidhur për spitalin tonë dhe sëbashku me organet kompetente, do të punojmë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Duke shprehur edhe një herë dhimbjen për këtë ngjarje të rëndë, stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” siguron qytetarët se do të vijojë të jetë në shërbim 24 orë, për të garantuar shërbimin shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë. Kërkojmë mbështetjen tuaj në këtë moment të vështirë për të gjithë ne”, u shpreh drejtori i spitalit “Shefqet Ndroqi”. Ndërsa lidhur me shqetësimin e gazetarëve se ky ishte rasti i tretë në këtë spital dhe çfarë masash do të merreshin, Kapisyzi u shpreh: “Është momenti që të respektojmë dhimbjen e familjarëve si dhe dhimbjen tonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë