Një tjetër shpërthim është regjistruar gjatë në orët e vona të natës në veri të Mitrovicës, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.
Mjeti shpërthyes është hedhur pranë shkollës teknike nga persona të panjohur dhe të maskuar, të cilët më pas janë larguar me shpejtësi.
Njësitë e EULEX po qëndrojnë pranë shkollës, ndërsa në kryqëzimin në Lagjen e Boshnjakeve është shtuar numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Veriu i Kosovës është ende i bllokuar nga qytetarët serbë.
Kalimi në Bërnjak dhe Jarinje nuk është i mundur as në këmbë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u bëri thirrje serbëve në veri të Kosovës që të jenë të qetë dhe paqësor ndërsa Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka bërë të ditur se është formuar Shtabi i Krizave, i cili do të raportojë rregullisht për gjendjen në terren.
Në shkollat fillore dhe të mesme në veri të Kosovës sot nuk do të zhvillohet mësim.
Për shkak të situatës së tensionuar në veri është mbajtur seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi, pas së cilës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se barrikadat janë shprehje e protestës kundër arrestimit të njerëzve dhe thekson se “do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”.
Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ata të Britanisë së Madhe në Prishtinë dhe Beograd kanë reaguar përmes deklaratave të përbashkëta për situatën në veri të Kosovës dhe kanë kërkuar që menjëherë të largohen barrikadat e vendosura në veri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




