Halit Valteri është kandidati listës së PD-së që pranon të marrë mandatin e deputetit. KQZ bën të ditur se Halit Valteri, kandidati i demokratëve për Qarkun e Tiranës, ka dorëzuar formularin e Dekriminalizimit. Ai është pjesëtar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Ai është i renditur i 41-ti në listën shumemërore dhe sipas KQZ-së do të zërë vendin e deputetit demokrat Gent Strazimiri. Ai është i nënti nga lista e PD-së që pranon mandatin e deputetit. Më herët pranuan mandatin Kostaq Papa, Erion Piciri, Artur Roshi, Majlinda Halili, Korab Lita, Kujtim Gjuzi, Selami Jenishehri, Besnik Troplini. PD në listën e Tiranës kanë marrë 11 deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Në këtë listë fillimisht KQZ dha mandatin e Indrit Hoxhës dhe Ares Ypit, por i pari pasi mori mandatin e deputetit, në seancën e fundit parlamentare deklaroi publikisht se refuzonte të bënte betimin. Ndërsa dhe Ypi pas dorëzimit të formularit të Dekriminalizimit paraqiti një deklaratë tjetër në KQZ ku refuzonte të merrte mandatin.
Me marrjen e mandatit të Valterit, numri i deputetëve në Kuvend shkon në 117, nga të cilët 40 janë nga opozita. Ndërkohë duhen edhe 23 deputetë për të plotësuar numrin 140. Opozita PD dhe LSI dogjën mandatet duke dalë në rrugë me protesta dhe mosbindje civile për të kërkuar largimin e qeverisë Rama, ndërsa nuk janë regjistruar në zgjedhjet e 30 qershorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




