Dy miqësore të zyrtarizuara në axhendë për kuqezinjtë. Viti 2020, deri në startin e fushatës kualifikuese do të jetë i mbushur me ndeshje testuese për Rejan dhe të tijtë, teksa FSHF-ja ka siguruar tashmë dy kundërshtarë.
Bëhet fjalë për datat e lira të FIFA-s, në një periudhë kur janë programuar të zhvillohen ndeshjet play off të Nations League. Nëse më herët është zyrtarizuar ballafaqimi me Slloveninë, më 30 mars, tashmë Shqipëria më 27 mars do të udhëtojë në transfertë për një përballje me San Marinon. Miqësorja është zyrtarizuar nga vetë Federata e vendit në fjalë, që pas Shqipërisë do të luajnë me Letoninë në 31 mars dhe kundër Italisë në 29 maj. Si rrallë më parë, në programin e kuqezinjve kemi të zyrtarizuara dy ndeshje miqësore, njëra pas tjetrës, në pak ditë. Përpos debutimit të Florian Kamberit, pritet të ketë një ftesë edhe për Armando Brojën.

Përsa i përket historikut në përballjet direkte me San Marinon, kuqezinjtë kanë një bilanc pozitiv, pasi i kanë fituar të dyja ndeshjet e zhvilluara mes tyre me rezultatin 3-0.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




