Ka ndodhur

Tjetër incident në ujërat e Adriatikut, veliera angleze godet peshkarexhën shqiptare

Gazeta Si – Një tjetër incident ka ndodhur gjatë natës në ujërat e Adriatikut. Një velierë me flamur anglez, ka goditur peshkarexhën shqiptare “Perëndesha” në det të hapur, rreth 15 milje larg bregut. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 4 të mëngjesit, gjatë udhëtimit të jahtit për në Mal të Zi.

Forcat e rojës bregdetare kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi në det të hapur, por veliera me çiftin britanik në bord është tërhequr nga vetë anija e peshkimit.

Mësohet se peshkatarët dhe dy shtetasit anglezë, që ndodheshin në bordin e velierës “Moon Child”, nuk kanë pësuar dëmtime përveç tronditjes nga përplasja.

Veliera me port regjistrimi Liverpulin ishte nisur nga Korfuzi dhe po lundronte drejt Malit të Zi kur është përplasur me peshkarexhën shqiptare “Perëndesha”.

Pas goditjes, kapiteni i peshkarexhës ka njoftuar dispeçerinë e peshkimit për ngjarjen dhe më tej është njoftuar QNOD.

Paraprakisht deklarohet se ngjarja ka ndodhur rreth 15 milje larg bregut. Veliera është përplasur në pjesën e bashit me peshkarexhën që kishte dalë për gjueti në det.

Për pasojë kanë pësuar dëme të dyja mjetet. Velierës i është këputur dhe direku.

Në pritje të ndihmës, peshkarexha “Perëndesha” me 5 anëtarë në bord e ka tërhequr velierën drejt portit të Durrësit, ku pritet të qartësohen edhe detajet e këtij incidenti detar në një hapësirë ujore, ku trafiku nuk është i rënduar.

Ngjarja vjen një ditë pas mbytjes se një peshkarexhe në afërsi të portit të Durrësit, ku u godit nga një traget i linjës që po udhëtonte drejt Barit të Italisë.

Incidenti ndodhi në det të hapur dhe policia kufitare arriti të shpëtojë 3 peshkatarë që kishin hipur në një konstrukt druri pas fundosjes së mjetit detar dhe rrezikonin të mbyteshin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë