Motosport

Tjetër hap në histori për Vershtapen, vendos rekord në Meksikë me 14 fitore sezonale

Gazeta Si – Asnjë dyshim, asnjë diskutim. Maks Vershtapen arriti fitoren e 14-të sezonale në Meksikë, duke vendosur një rekord të ri. Holandezi kaloi Mikael Shumakerin dhe Sebastian Fetelin, të cilët i kishte barazuar vetëm 7 ditë më parë në Austin.

Në pod u ngjitën edhe Ljuis Hemilton dhe Serxhio Perez. Në vend të katërt u rendit Xhorxh Rasëll, i cili zhgënjeu në këtë garë, por jo aq sa Ferrari, që nuk u ngjit në nivelin e duhur. Vendi i 5-të për Karlos Sainz dhe vendi i 6-të për Sharl Leklerk, të dy larg makinave Mercedes dhe akoma më shumë ndaj Red Bull-it.

Ishte një demonstrim superioriteti nga ana e Vershtapen dhe Red Bull-it në garën e tretë nga fundi i Botërorit. Një sezon që është dominuar nga piloti holandez dhe skuderia austriake.

Në Meksikë kampioni i botës ka shënuar rekordin e radhës: 14 fitore sezonale kundër 13 të Shumaker në 2004-ën dhe Fetel në 2013-ën. Dhe Botërori ka edhe dy gara, në Brazil dhe Abu Dabi, ku Vershtapen mund të bëjë një hap tjetër në histori, ose ndoshta dy.

Holandezi shfrytëzoi ‘pole position’ në Meksikë dhe e administroi mirë garën, edhe karikimin e fillimit nga ana e Hemilton. Anglezi luftoi fort, por u detyrua të hiqte dorë nga vendi i parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë