Futboll

Tjetër episod racist ndaj Vinicius, Sevilja nxjerr menjëherë fajtorin nga stadiumi

Gazeta Si – Gjatë ndeshjes mes Seviljes dhe Real Madridit, një tifoz i ekipit vendës ka imituar majmumin përpara futbollistit brazilian. Autoritetet kanë vepruar menjëherë dhe kanë shoqëruar tifozin.

Ishte një sfidë mjaft e tensionuar ajo mes Seviljes dhe Realit. Dhe sërish një episod racizmi në ‘Sanchez Pizjuan’, ku një tifoz sulmoi Vinicius, duke imituar majmumin. Ai është larguar menjëherë nga stadiumi, përveçse është bërë denoncimi në autoritetet përkatëse.

Masa të menjëhershme, pas të cilat edhe vetë Vinicius ka shkruar në Instagram: “Komplimente Seviljes që veproi menjëherë dhe ndëshkoi episodin e trishtë të radhës në futbollin spanjoll. Ishte një tjetër akt racist gjatë ndeshjes, këtë herë nga një fëmijë. Më vjen shumë keq që nuk e kanë edukuar.

Investoj shumë në Brazil për të formuar qytetarë me sjellje ndryshe nga kjo. Fytyra e atij racisti ka përfunduar në rrjetet sociale, si në rastet e tjera. Shpresoj që autoritet spanjolle të bëjnë pjesën e tyre dhe të ndryshojnë ligjin. Këta persona duhet të ndëshkohen edhe penalisht.

Do ishte një hap i mirë përpara në përgatitjet për Kupën e Botës 2030. Jam gati të ndihmoj. Më falni që përsëris të njëjtat gjëra, por është episodi numër 19 dhe vazhdoj të numëroj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë