Futboll

Tirana kurorëzohet kampione në derbi. Përleshen tifozët, ata të Partizanit shkulin stolat (Video)

Gazeta Si – Me sa duket, Tirana donte ta shijonte titullin e 26-të në historinë e saj në derbin me Partizanin. Pas tre hapash të gabuar radhazi, bardheblutë kanë mundur 1-2 rivalin e përjetshëm në “Elbasan Arena” dhe janë zyrtarizuar kampionë të Superiores tri javë para mbylljes së kampionatit.

Derbi i sotëm, pavarësisht incidenteve të zakonshme me tifozët, me tymuese në fushë dhe ndërprerje të ndeshjes, ishte i mbushur me emocione. Skuka i dha avantazhin Partizanin me një roveshiatë të bukur. Të kuqtë në delir, por ndoshta e nisën festën para kohe, duke harrruar se në derbi situata përmbyset shumë shpejt.

Renditja e Superiores. Gazeta Si, 7 maj 2022

Taulant Seferi barazoi shifrat pa kaluar shumë minuta, duke e ndezur edhe më shumë ndeshjen. Sapo nisi pjesa e dytë, Totre realizoi një gol mjeshtëror me një goditje të kalibruar nga jashtë zonës dhe 1-2. Partizani u mundua të reagonte dhe fitoi një penallti me Skukën, por VAR-i konstatoi një simulim të sulmuesit dhe anuloi penalltinë dhe kartonin e verdhë të Hoxhallarit.

Tirana i gëzohet titullit për sezonin 2021-2022, duke zbritur nga froni Teutën. Një titull plotësisht i merituar, me një skuadër që ka bërë diferencën gjatë gjithë kohës. Prej kohësh drejtuesit e skuadrës bardheblu kanë nisur të mendojnë për një përfaqësim sa më dinjitoz të Tiranës në Europë.

Partizani ndërkohë komplikon llogaritë e Kupave të Europës me këtë humbje, pasi Kukësi dhe Vllaznia mund t’i afrohen me pikë. Një hap i gabuar për skuadrën e Dritan Mehmetit.

Gjatë derbit nuk ka munguar sherri mes dy tifozërive, që janë përplasur me njëra tjetrën, duke ofruar skena vërtet të shëmtuara.

Tifozët e kuq, të irrituar pas humbjes, kanë shkulur stolat e stadiumit në Elbasan dhe i kanë hedhur në pistë. U desh ndërhyrja e forcave të policisë për të qetësuar situatën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë