Futboll

Titullar në kupë, Strakosha kualifikohet dhe gjen Gjimshitin në çerekfinale

Lacio ka mundur 2-1 Parmën dhe ka marrë “biletën” e fundit të fazës çerekfinale të Kupës së Italisë, ku do të përballet me Atalantën. Titullarë në këtë ndeshjen ishin portrieri i Kombëtares, Tomas Strakosha, dhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi. Goli i fitores për Lacion erdhi në minutën e fundit, kur Muriqi goditi me kokë dhe topi, pasi u përplas në shtyllë e më pas në kurrizin e portierit Kolombi, përfundoi në rrjetë.

Muriqi në aksion. Gazeta Si, 21 janar 2021

Tomas Strakosha është kthyer titullar dhe duket se përplasja me klubin është lënë pas. Lacio kaloi në avantazh në pjesën e parë me golin e Parolos, që këtë herë luajti në mbrojtje. Skuadra e Inzagit e kontrolloi mirë ndeshjen, por Parma barazoi 7 minuta para fundit. Me fat Strakosha, pasi traversa e ndihmoi në një rast, ashtu si dhe Muriqin në minutën e 90-të, kur kosovari u bë protagonist i kualifikimit me autogolin e portierit kundërshtar. Muriqi goditi shtyllën edhe në fillim të ndeshjes.

Goli i fitores për Lacion. Gazeta Si, 21 janar 2021

Strakosha është vlerësuar me notën 6.5 për paraqitjen e bërë në këtë 90-minutësh, kurse Muriqi me notën 6. Në çerekfinale ata do të ndeshen me Atalantën e Berat Gjimshitit. Tani mbetet të shihet, nëse portieri kuqezi do të kthehet titullar edhe në kampionat, apo do të qëndrojë në stol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë