Motosport

Tituj me dy konstruktorë: Marc Márquez i bashkohet një klubi elitar

Nga Gazeta Si – Suksesi i Marc Márquez-it (Ducati Lenovo Team) në fitimin e titullit të vitit 2025 do të mbetet gjatë në kujtesë.

A është ky rikthimi më i madh sportiv i të gjitha kohërave? Ne do të thoshim po (sigurisht).

Dhe ndërsa ana njerëzore e historisë – dëmtimet dhe pengesat fizike – është një rrëfim magjepsës dhe i dokumentuar gjerësisht në rikthimin kampion të #93, gjatë këtij rrugëtimi u vendosën edhe disa rekorde të rëndësishme.

Njëri prej tyre ishte fakti që Márquez u bë piloti i fundit në rradhë (dhe nuk kanë qenë shumë në historinë tonë) që fitoi tituj Botërorë në MotoGP me dy konstruktorë të ndryshëm.

Në ditët e para të historisë së MotoGP, Geoff Duke ishte piloti i parë që fitoi tituj me motorrë të ndryshëm, Norton dhe Gilera.

I dyti që e arriti këtë ishte Giacomo Agostini. Legjenda italiane e “Hall of Fame” shtoi një titull me Yamaha-n në vitin 1975, pas sukseseve me MV Agusta.

Më vonë, Eddie Lawson fitoi tituj radhazi në vitet 1988 dhe 1989 me Yamaha-n dhe Honda-n, duke fituar 4 kampionate gjatë viteve ’80.

Pastaj erdhi Valentino Rossi. Nga viti 2001 deri në 2003, “The Doctor” fitoi 3 tituj radhazi në MotoGP me Honda-n, duke rikthyer gjigantët japonezë në majë pas titullit të Kenny Roberts Jr. me Suzuki-n në vitin 2000.

Siç dihet, më pas Rossi bëri kalimin te Yamaha në vitin 2004. Dhe pjesa tjetër, siç thuhet shpesh, është histori – të paktën për pjesën më të madhe të viteve 2000.

Rossi i dha Yamaha-s titujt e parë që nga suksesi i Wayne Rainey në vitin 1992, duke fituar në vitet 2004 dhe 2005, përpara se Nicky Hayden dhe një tjetër pilot si Casey Stoner, të ndalonin dominimin e Rossi-t për disa vite.

Në vitet 2008 dhe 2009, Rossi u rikthye në kulmin e formës së tij, me sezonin e fundit që rezultoi të ishte titulli i tij i fundit në MotoGP.

Duke nxjerrë maksimumin nga “Desmosedici” i vështirë për t’u dominuar, Stoner kaloi te Honda për sezonin 2011 dhe, siç pritej, ishte një kombinim perfekt.

Ai fitoi 10 nga 17 “Çmimet e Mëdha” në sezonin e tij të parë me HRC, duke i dhënë Hondës titullin e parë që nga epoka e Rossit.

Pas njoftimit tronditës të pensionimit të parakohshëm të australianit në fund të vitit 2012, u hap rruga për një yll spanjoll në ngritje të shpejtë që të zinte vendin në ekipin zyrtar të Hondës.

Ky ishte Marc Márquez. 2013, 2014, 2016, 2017, 2018 dhe 2019. Márquez në versionin e tij klasik. Thjesht i pandalshëm – deri sa Jerez goditi fort.

Pastaj erdhën 4 vite me gjak, djersë dhe lot në kuptimin e plotë të fjalës. Katër operacione në humerusin e djathtë. Aksidentet… dhe mendimet për t’u tërhequr.

Më pas kalimi te Ducati, i cili thjesht ringjalli karrierën e Márquez-it.

Fitorja e parë në një “Grand Prix” pas 1043 ditësh me ngjyrat blu të Gresinit, dhe një sezon debutues i jashtëzakonshëm me të kuqen e famshme të Ducati-t zyrtar, që pa titullin të sigurohej në Japoni, kur duheshin edhe 5 gara për t’u zhvilluar.

Krahas gjithçkaje tjetër të arritur në titullin e tij të 7 në MotoGP, vendosja e emrit përkrah Stoner, Rossi, Lawson, Agostini dhe Duke është një statistikë për të cilën duhet të ndihet jashtëzakonisht krenar.

Ndaj tani për një gjë nuk ka asnjë dyshim – Marc Márquez do të jetë piloti për tu mundur në vitin 2026.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë