Vritet me armë zjarri në një atentat menaxheri i VIP-ave dhe personazhi i njohur mediatik, Jurgen Kurti, 26 vjeç, ndaj të cilit dyshohet se janë qëlluar të paktën 10 plumba.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:20 shumë pranë stadiumit “Dinamo” pas postës numër 8 në zonën e Tiranës së Re, pikërisht afër banesës së Kurtit.
Viktima në fakt nuk është një emër i panjohur për policinë dhe për publikun shqiptar. Ai njihet si menaxher i VIP-ve dhe u arrestua në 2016-ën për vrasjen e babait të tij, por kur daja pranoi krimin Kurti u la i lirë dhe u çlirua nga akuzat thuajse një vit pas krimit.
Jurgeni përfundoi në qeli pas vrasjes së babait të tij më 4 prill 2016 (në banesën, ku pak metra më tutje ndodhi sot atentati tragjik), por gjykata e liroi disa ditë më vonë duke e lënë në arrest shtëpie.

Më pas, gjykata dha masën “arrest me burg” për dajën e tij, Leonard Ristanin, që mori përsipër autorësinë e vrasjes.
Kurti, po ashtu akuzohet si i përfshirë në një sherr, ku mbeti i vrarë pronari i një marketi në Durrës në 2017. Nga ekspertiza mjeko- ligjore asokohe, u vërtetua se shtetasi Agim Arapi ka ndërruar jetë për shkak të problemeve që ka pasur me zemrën, ku nuk ka përballuar dot goditjet me grushta, të kryera nga autorët.
Pavarësisht se në vendin e ngjarjes është gjetur një thikë dhe fillimisht u tha se Arapi ishte qëlluar me thikë dhe kishte ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra, policia në njoftimin zyrtar, deklaroi se 51-vjeçari ka vdekur për shkak të një ataku kardiak.

Jurgen Kurti, dhëndri i një prej autorëve të dyshuar, u shfajësua pasi sipas policisë ai nuk ka marrë pjesë në rrahjen e viktimës.
Pak minuta pas ngjarjes efektivët e policisë së Durrësit arrestuan autorët e dyshuar, vëllezërit: Kostandin Ekonomi 54 vjeç dhe Kujtim Ekonomi 50 vjeç, banues në Durrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




