Gazeta Si – Një grup kriminal i akuzuar për disa vepra të rënda penale, mes të cilave tentativë për vrasje përmes pagesës, është goditur nga Policia e Shtetit.
Në pranga kanë rënë 5 persona, 1 u shpall në kërkim, ndërsa 2 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë: Ibrahim Difaj, 31 vjeç, banues në Kurbin; Damjan (Besmir ) Lleshaj (Prela), 34 vjeç, banues në Mamuras, Kurbin, i dënuar më parë për vjedhje; Robert Laci, 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë; Ilirian Feçi, 47 vjeç, banues në Durrës, i dënuar në Itali, për grabitje të bankave dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Kreu i policisë së Tiranës, Lorenc Paganika, renditi disa ngjarje kriminale, pas së cilave tha dyshohet se qëndronin këta persona.
Sipas tij, më datë 17.08.2021, shtetasit Ibrahim Difaj dhe Ilirian Feçi, kundrejt pagesës 2.0000 euro, të bërë nga shtetasi Robert Laçi, kanë tentuar të vrasin shtetasin A.Gj.
Ndërsa në një tjetër ngjarje kriminale më 14 janar të këtij viti, këta persona u përfshinë në një tentativë për t’i shpëtuar patrullës, ku kanë qëlluar me armë zjarri ndaj policisë.
Ngjarja u shënuar pak para mesnatës të 14 janarit. Një makinë tip “Benz” është tentuar të ndalohet nga një patrullë në zonën e Qafë Kasharit.
Drejtuesi i makinës nuk është bindur dhe është larguar në drejtim të Fushë Krujës. Në këtë makinë raportohet se ndodheshin Ibrahim Difaj, Shpëtim Kraja dhe shtetasja E. V.
Në tentativë për t’u larguar, mjeti është përplasur më një bordurë dhe personat që ndodheshin në mjet, kanë dalë duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të Policisë dhe duke përfituar nga errësira janë larguar duke braktisur mjetin.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati persona të lënduar, ndërsa makina rezultoi që ishte me targa të vjedhur nga një automjet tjetër në Tiranë.
Policia thotë se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë dhe vende të ndryshme, janë autorë të dyshuar të ngjarjeve si më poshtë:
– “Vrasja e mbetur në tentativë e punonjësve të Policisë” e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa leje”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, ngjarje e ndodhur më datë 14.01.2022, në Fushë-Krujë, autor të dyshuar të të cilës janë shtetasit Ibrahim Difaj, Shpetim Kraja dhe shtetasja E. V.
Më datë 14.01.2022, në Qafë Kashar, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi një mjeti, drrejtuesi i të cilit nuk ka ndaluar dhe është larguar në drejtim të Fushë Krujës. Në tentativë për t’u larguar, mjeti është përplasur më një bordurë dhe personat që ndodheshin në mjet, kanë dalë duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të Policisë dhe duke përfituar nga errësira janë larguar duke braktisur mjetin.
– “Vrasja” e mbetur në tentativë e shtetasit A. Gj., ndodhur më datë 17.08.2021, në vendin e quajtur fshati Adriatik, Fushë Kuqe. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje janë shtetasit Ibrahim Difaj, Ilirian Feçi dhe Robert Laci.
Më datë 17.08.2021, shtetasit Ibrahim Difaj dhe Ilirian Feçi, kundrejt pagesës 20000 euro, të bërë nga shtetasi Robert Laci, kanë tentuar të vrasin shtetasin A. Gj.
– Vjedhje e automjetit tip “Mercedes-Benz”, në pronësi të shtetasit I. M., ndodhur më datë 11.01.2022 në Vorë. Autorë të dyshuar janë shtetasit Ibrahim Difaj dhe Shpetim Kraja.
– Vjedhje e automjetit tip “Volksëagen Touran, në pronësi të shtetasit J. M., ndodhur më datë 25.01.2021, në lagjen nr. 5 Laç, Kurbin. Autorë të dyshuar janë shtetasit Ibrahim Difaj dhe Shpetim Kraja.
– Vjedhja e sendeve të shtetasit A. D., më datë 25.01.2021, rreth orës 05:00, në autostradë, tek nënkalimi i Patokut, në lagjen nr. 6 Laç, Kurbin. Pasi ka zbritur nga autobusi me të cilin kishte ardhur nga Gjermania, shtetasit i kanë vjedhur portofolin dhe një telefon celular. Autorë të dyshuar janë shtetasit Ibrahim Difaj dhe Shpetim Kraja.
– Vjedhja e disa produkteve ushqimore në dyqanin e shtetasit K. C., më datë 26.01.2022, në vendin e quajtur Malbardhe-Fushë, Milot. Autorë të dyshuar janë shtetasit Ibrahim Difaj dhe Shpetim Kraja.
Policia ka sekuestruar veshje të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve, dy automjete të vjedhura, targa automjetesh të vjedhura, një armë gjahu, municion luftarak, 13 aparate celulare dhe sende të tjera të vjedhura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




