Një 63-vjeçar i ka shpëtuar një atentati me armë zjarri në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë, teksa ka qenë duke udhëtuar i vetëm me makinë.
Dyshohet se një person i paidentifikuar, i cili është larguar në këmbë, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të mjetit tip "Benz" me të cilin udhëtonte Lulzim Masha, i cili ka shpëtuar pa u prekur nga plumbat.
Sipas informacioneve paraprake, 63-vjeçari është administratori i një shkolle private në kryeqytet që gjendet pranë zonës së Liqenit të Thatë. Ndaj tij është qëlluar me 3 plumba, ku dy prej predhave kanë goditur "Benz"-in.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 të kësaj të marte dhe policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës me qëllim kapjen e autorit.
Gjatë marrjes në pyetje, Masha ka mohuar që sulmi me armë të ketë qenë për të. Ai ka pohuar se kishte qenë duke kaluar në këtë zonë për të shkuar në punë, dhe se kishte parë disa djem të rinj, duke u zënë me njëri-tjetrin. Sipas tij, nga të shtënat, plumbat kishin prekur edhe makinën e tij. Masha ka treguar se autori ishte një djalë rreth 25 vjeç, i veshur sportiv, esmer dhe me mjekërr.
63 vjeçari nuk njihet si person problematik apo i skeduar nga policia. Edhe pse ai ka mohuar të ketë konflikte, hetuesit dyshojnë se sulmi me armë mund t’i ketë ardhur për konflikte tokash ose ndonjë konflikt tjetër banal.
Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe është duke sekuestruar çdo provë të mundshme materiale që do të shërbejë për identifikimin e autorit të ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.