Gazeta Si – Martesat fiktive në shkelje të plotë të ligjit kanë futur në telashe katër punonjëse të gjendjes civile në Tiranë. Drejtoria Antikorrupsion e ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë ka kallëzuar në Prokurori dy punonjëse për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre. Në fakt, bëhet fjalë për dy raste të ndryshme.
Në rastin e parë, shtetësja B.H., ka realizuar një martesë fiktive mes një të burgosur në shtetin italian dhe një qytetareje shqiptare, kundrejt pagesës. Në proces-verbalin e formuluar nga zonja, bashkëshorti që në fakt ndodhej në burg në Itali, figuron si i pranishëm në Tiranë.
Hetimi i Drejtorisë Antikorrupsion nisi, pasi zonja që figuron bashkëshorte, ka bërë një ankesë për zhbllokimin e dokumenteve biometrikë. Pas kësaj ankese, nga specialistët e drejtorisë, nisi hetimi që ka rezultuar në këtë falsifikim kundrejt shpërblimit nën dorë.
Sipas ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, “është bërë kallëzim në prokurori për falsifikim dokumentesh nga punonjësi i gjendjes civile dhe shpërdorim detyre”.
Rasti i dytë ka të bëjë sërish me gjendjen civile në kryeqytet. Shtetaset S.A, E.T, dhe E.N, janë kallëzuar në prokurori me akuzën e falsifikimit të dokumenteve nga nëpunësi i gjendjes civile dhe shpërdorim detyre.
Këto shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, dyshohet se kanë falsifikuar aktet e gjendjes civile për martesa.
Bëhet fjalë për martesa për dokumente angleze. “Këto martesa dyshohet se janë bërë pas dhënies së ryshfetit kundrejt këtyre punonjësve. Pas verifikimeve që kanë bërë specialistët e Drejtorisë së Antikorrupsionit, çështja është kallëzuar në Prokurori”, tha ministri i Drejtësisë.
Manja ka thënë po ashtu se është kallëzuar Drejtoresha e Tatimeve në Durrës, pasi u hakmor ndaj një biznesi që ishte ankuar dhe e gjobiti biznesin me 33 mln lekë.
Gjithashtu, është kallëzuar në prokurori Drejtori Rajonal i Zonave të Mbrojturave, pasi përgjegjësi dhe specialisti deklaronin se ekzistonte një godinë brenda një parku kombëtar, ndërkohë që godinë nuk kishte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




