Gazeta Si – Skuadra kampione e Shqipërisë del menjëherë nga kompeticioni që vlen në Europë. Bilanc katastrofik për skuadrën e Shehit ndaj një kundërshtari deri diku modest, si Dudelange i Luksemburgut. Një Tiranë naive në të dyja ndeshjet, ku ka pësuar dy humbje.
Nëse humbja 1-0 në Luksemburg mund të justifikohet, kjo 1-2 në “Air Albania” është e papranueshme. Edhe me ndihmën e tifozëve bardheblutë nuk mundën jo vetëm të fitonin, por as të barazonin. Del parashikimi i Redi Jupit, i cili pas mbylljes së kampionatit u shpreh se do të shihnim një Tiranë të dobët në Europë.

Pjesa e parë u dominua nga Tirana, që pati të paktën tri raste për gol, por pa mundur t’i shfrytëzojë. Seferi dhe Xhixha, të vetëm përballë portierit të Dudelange, Foks, u ndalën prej tij. Devid Da Silva ishte pa fat, pasi u ndal nga shtylla.
Edhe kampionët e Luksemburgut patën raste në pjesën e parë. Sapo nisi e dyta ata i dhanë Tiranës një goditje të fortë. Bojiç shënoi golin e avantazhit me një gjuajtje tokazi nga rreth 20 metra. Ai nuk u ndal as nga mbrojtësit dhe as nga portieri Bekaj.
Trajneri Shehi bëri disa lëvizje nga stoli, por situata shkoi më keq. Sinani shënoi edhe golin e dytë për miqtë. Ai u gjend i zbuluar në zonë dhe goditi saktë pas një topi nga e djathta. Dy goditje fatale për Tiranën, që ndezi një fije shprese 12 minuta para fundit me Xhixhën.
Sulmuesi i shpejtë shkurtoi diferencën në 1-2, por vetëm kaq. Në minutat e fundit ishte një Tiranë nervoze në disa momente. Në zhvillimet e një goditjeje këndi Bekajn e shpëtoi traversa.
Nuk munguan ndërprerjet e ndeshjes edhe sot, por të shkurtra. Në disa momente tifozët e Tiranës hodhën sende në fushë dhe arbitri spanjoll kërkoi siguri nga drejtuesit e klubit kryeqytetas.
Përfundimisht, eliminim i turpshëm nga Liga e Kampionëve. Tani Tirana kalon në Ligën e Konferencës, ku do të ndeshet me kipin boshnjak të Zrinskit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




