Ka ndodhur

Krim në familje në Tiranë, vëllai vret vëllanë e më pas vetëvritet pas konfliktit për pronat

Gazeta Si – Një konflikt për pronat dyshohet se ka qenë zanafilla e përplasjes mes dy vëllezërve Cami nga Bulqiza, që çoi në vdekjen e të dyve mëngjesin e kësaj të enjteje në Tiranë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në në zonën e Freskut në rrugën “Xhon Belushi” rreth orës 07:40.

Policia thotë se Vehap Cami, 63 vjeç ka qëlluar me armë zjarri, duke lënë në vdekur vëllain e tij, Lulëzim Cami, 68 vjeç dhe më pas ka vrarë veten. 

Sipas burimeve praprake, Vehap Cami kishte shkuar për të pirë kafenë e mëngjesit në banesën e të vëllait, Lulëzim Camit.

Vehap Cami 63 vjeç, jetonte në zonën e Lundrës. Një ditë më parë ai kishte ditëlindjen, ndërsa mëngjesin e sotëm shkoi në banesën e të vëllait, Lulëzimit, në Fresk.

Pasi u fut brenda, aty u përball me vëllain, por nuk patën asnjë debat. Më pas e qëlloi me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend.

Pasi i mori jetën vëllait, Vehap Cami vrau edhe veten. Në momentin e krimit në shtëpi kanë qenë të pranishëm edhe familjarët e Lulëzim Camit, të cilët fatmirësisht nuk pësuan asnjë lëndim.

Grupi hetimor dyshon se përplasja mes vëllezërve ka qenë e hershme për shkak të pronave në Bulqizë. Për këtë arsye po pyeten edhe familjarë të tyre për të dhënë më shumë informacione që ndihmojnë hetimin.

Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe kanë bërë rrethimin e zonës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë