Ka ndodhur

U kanos për 150.000 paund, sherri për ‘shtëpinë e barit’ zhvendoset nga Anglia në Tiranë

Gazeta Si – Një 29-vjeçar ka rënë në pranga dhe një 39-vjeçar është shpallur në kërkim, pasi kanosën një person për jetën, duke i kërkuar që t’u jepte një shumë parash.

Policia ka arrestuar Vasel Koçakun, 29 vjeç nga Malësia e Madhe, i dënuar më parë për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa në kërkim është shpallur Omer Braho, 39 vjeç nga Shkodra.

Sipas policisë, ata kërcënonin një shtetas, pasi dyshonin se vëllai i tij u ka vjedhur njerëzve të tyre në Angli një shumë parash në banesë.

Sipas burimeve të policisë, Koçaku dhe Braho kishin konflikt me shtetasin që e shantazhonin, pasi vëllai i këtij të fundit ka lënë punën në Angli dhe pretendojnë se u ka vjedhur shumën prej 150 mijë paundësh.

Burime në rrugë jo zyrtare, shprehen se ka dyshime se Koçaku, Braho dhe vëllai i qytetarit që u shantazhua, kishin në administrim një shtëpi ku kultivohej kanabis, për të cilën kishin lindur konflikti.

Duke mos pasur një kontakt direkt me të, ata prej gjashtë muajsh i shantazhonin të vëllain që ai t’u jepte paratë. Në javët e fundit, kërcënimet ishin shtuar, saqë e detyroi të paraqitej për denoncim në polici.

Ata akuzohen për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” kryer në bashkëpunim.

Qytetari i është drejtuar komisariatit Nr.6 në kryeqytet, duke depozituar kallëzimin penal. Pas hetimeve të kryera dhe me prokurorinë e Tiranës, policia mundi të arrestojë vetëm njërin prej të dyshuarve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë