Ka ndodhur

Tiranë, i vodhën 21.6 mln lekë UKT-së përmes rrogave të dublikuara, 2 punonjës në pranga

Gazeta Si – Dy punonjës të UKT-së në Tiranë, janë arrestuar, pasi i vodhën shoqërisë së Ujesjellës-Kanalizimeve 21.6 mln lekë përmes rrogave të dublikuara.

Në njoftimin e saj, Prokuroria e Tiranës thotë se ka vendosur masën “detyrim paraqitje” për dy punonjës të tjerë nën akuzën “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.

Organi i akuzën njofton se hetimi filloi pasi nga auditi i kryer nga zyra ekonomike e shoqërisë “Ujësjellës-Kanalizime Tiranë” sh.a Tiranë, u konstatua se specialisti në Sektorin e Tatim Taksave në Drejtorinë Ekonomike të kësaj shoqërie, i ngarkuar me detyrën e përpilimit dhe dërgimin në Bankë të listëpagesave për pagat e punonjësve të kësaj shoqërie me iniciale S.Zh., ka dubluar emrat e shtetasve S.Zh, R.L, E.L dhe A.Xh, të cilët ishin punonjës të kësaj shoqërie për periudhën Prill 2018- Korrik 2023 duke shkaktuar dëm në vlerën totale 21,679,805 Lekë.

Bazuar në kërkesën e organit të akuzës me vendimin Nr. 3026, datë 23.12.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë është vendosur caktimi i masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 të K. Pr. Penale, për shtetasit S.Zh dhe E.L, ndërsa për shtetasen: R.L dhe shtetasin A.Xh, caktimi i masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Të katërta këto masa janë ekzekutuar nga policia Tiranës ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë