Ka ndodhur

Tiranë / I shpëtoi policisë pasi përplasi 3 makina, në kërkim Joni Sadikaj (momenti i arrestimit të Skerdi Sinës)

Gazeta Si – Një 26-vjeçar, i identifikuar si Joni Sadikaj, u shpall në kërkim i dyshuar si drejtuesi i makinës “Audi Q8”, e cila përplasi 3 mjete pasditen e së mërkurës në Tiranë në ndjekje nga policia.

I riu, i cili po ashtu si Skerdi Sina (i arrestuar dje), ishte shpallur në kërkim në muajin janar për ngjarjen e mistershme në zonën e Astirit në Tiranë, ku me 5 djem kyçën në një apartament të marrë me qira, një vajzë 21-vjeçare, pasi kishin pirë gjithë natën lëndë narkotike dhe alkool.

Joni Sadikaj dyshohet se në atë kohë nuk kishte shumë ditë që ishte njohur me vajzën në një prej lokaleve më të njohur të Astirit, ku ajo punonte. Sadikaj mundi t’u largohej policisë me vrap dhe deri më tani nuk është lokalizuar.

Të dy, si Skerdi Sina, ashtu dhe Joni Sadikaj, rezultonin në kërkim prej 9 janarit të këtij viti. Por duket se kjo nuk i ka shqetësuar dy të rinjtë që lëviznin të qetë nëpër Tiranë me makinën e tyre luksoze Audi Q8.

Sipas burimeve, mësohet se Skerdi Sinës, përveç një krehër arme tip “Glock”, me fishekë, iu gjet edhe një patentë me foton e tij, por me identitet dhe të dhëna të rreme. Kjo leje drejtimi, sipas burimeve, ishte me identitetin Almo Aliaj dhe dyshohet të jetë e falsifikuar.

Në momentin që është larguar në këmbë me vrap pranë zonës te sheshi “Willson” në kryeqytet, ai hodhi armën, e cila u gjet më pas nga policia.

Ndërsa nga kontrolli kur dy të rinjtë braktisën makinën “Audi Q8”, u gjet një sasi e vogël kanabisi dhe disa celularë, që do të ekzaminohen.

Të dy të rinjtë identifikohen edhe si rreth miqësie apo kushërinj të Aleksandër Sadikajt, të riut që u vra në një atentat me bombë të telekomanduar në muajin qershor të vitit 2022 në afërsi të TEG-ut në Tiranë, teksa udhëtonte me mjetin e tij luksoz drejt Memaliajt, ku kishte ngritur edhe një biznes agro-fermë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë