Gazeta Si – Një taksist ka rënë pre e një grabitje në zonën e ish-bllokut në Tiranë. Sipas policisë, kanë qenë dy persona të cilët i vodhën taksistit me iniciale N.B., një shumë parash dhe më pas u larguan.
Sipas burimeve, mësohet se dy autorët e grabitjes i kanë marrë 200 mijë euro taksistit, fill pasi ky i fundit i kishte marrë një pikë “exchange” dhe do t’i dërgonte në bankë.
Në momentin që ka marrë paratë nga pika e exchange, dy persona që lëviznin me motor, i janë afruar te makina, i kanë thyer xhamin, kanë marrë shumën e parave dhe më pas janë larguar.
Njëri prej tyre ka futur kokën, e ka marrë dhe janë larguar me shpejtësi. Aktualisht, hetuesit e Komisariatit nr.2 po marrin në pyetje pronarët e “exchange”-it dhe shoferin e taksisë për të zbardhur ngjarjen.
Po këqyren pamjet e kamerave të sigurisë për lëvizjet e motorit dhe lokalizimin e tij. Hetuesit dyshojnë se ata kanë pasur dijeni të plotë të transportit të parave, gjë që nuk përjashton mundësinë e bashkëpunëtorëve shumë të afërt. Gjithnjë sipas burimeve, bëhet me dije se taksisti me iniciale N.B., kishte rolin e transportuesit të parave.
“Më datë 04.10.2024, në zonën e Ish-Bllokut, dy persona ende të paidentifikuar i kanë vjedhur një shumë parash shtetasit N. B., shofer taksie, dhe më pas janë larguar. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar”, njofton policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.