Gazeta Si - Një 78-vjeçar me profesion historian dhe autor i disa librave, ka vrarë shokun e tij të dhomës në një azil privat në Tiranë këtë të enjte pas një sherri për motive të dobëta mes të dyve.
Autori i kësaj ngjarje është Zyhdi Shehi, i cili i mori jetën 82-vjeçarit Virxhil Vesho me pretendimin se i kishte zënë krevatin.
Policia njoftoi se rreth orëve të para të mëngjesit ai ka goditur disa herë me një bastun hekuri shokun e dhomës, i cili për shkak të dëmtimeve të marra humbi menjëherë jetën.
Ndërkohë policia po vijon hetimet për këtë ngjarje. 78-vjeçari Shehi është vënë në pranga dhe ndaj tij rëndon vepra penale e vrasjes me dashje.
Ngjarja
Sipas burimeve paraprake, dyshohet se dy të moshuarit janë zënë për shkak të krevatit. Shehi ka akuzuar Veshon se i ka zënë krevatin dhe rreth orës 04:00 të mëngjesit e ka goditur me bastun.
Autori i ngjarjes, Zyhdi Shehu, kishte një vit që qëndronte në azilin privat, ndërsa viktima, Virxhil Vesho, kishte 4 vite që qëndronte në këtë institucion.
Mësohet se 78-vjeçari pas sherrit për krevatin, ka goditur disa herë me shkop shokun e tij të dhomës, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.
Sakaq, pas alarmit që dhanë stafi i këtij azili, policia bëri të mundur arrestimin e autorit të dyshuar. Të dy të moshuarit vuanin nga skleroza.
Hetimet
Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje, rruga "Ali Visha", në lagjen "Ali Demi" dhe po kryen hetimet, duke këqyrur skenën e krimit, marrë në pyetje autorin e arrestuar dhe mbledhur dëshmitë apo pamjet e kamerave të sigurisë.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, arrestuan në flagrancë shtetasin Z. Sh., 78 vjeç, banues në një azil privat, për të moshuarit, për veprën penale "vrasja me dashje", parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal”, njoftoi paraprakisht policia e kryeqytetit.
Teksa më tej jepen edhe detaje për dinamikën, duke shpjeguar se “krimi ndodhi sot rreth orëve të para të mëngjesit”.
“Për motive të dobëta, i dyshuari ka goditur disa herë me anë të një bastuni (shkop hekuri), shokun e tij të dhomës, shtetasin V. V., 82 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën”, sqaroi policia.
Autori, historian dhe "Qytetar Nderi" i Kavajës
Mësohet se Shehu ka qenë historian, me origjinë nga Kavaja, ndërsa është autor i disa librave në këtë fushë.
Zyhdi Shehi, i lindur më 1946, është një historian dhe shkrimtar i njohur për botime dhe publicistikë historike e letrare.
Madje ai vitin e kaluar është shpallur edhe “Qytetar Nderi” i Kavajës, titull që iu dorëzua nga autoritetet lokale bashkiake.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.