Gazeta Si – Pesë persona janë arrestuar në Tiranë, nën akuzën se morën peng një 68-vjeçar, si dhe kërcënuan gruan e tij, ku i kanë marrë 2 milionë lekë të reja për t’i liruar bashkëshortin.
Në pranga kanë rënë Sulejman dhe Klinton Sina, 31 dhe 21 vjeç (vëllezër), Idajet Mashollari, 21 vjeç, Bajram Ibraliu, 57 vjeç dhe Nikoleta Begolli, 32 vjeçe, të gjithë banues në Tiranë.
Personi i rrëmbyer, Edvar Agalliu, dyshohet se ishte përfshirë në një konflikt për shkak të një ngacmimi ndaj bashkëshortes së njërës prej autorëve.
Ngjarja ka ndodhur kur tre persona në rrugën “George Bush”, morën me forcë në makinë të moshuarin, të cilin e mbajtën peng në një banesë të braktisur të fshatit Kakunjë.
Më pas, telefonuan gruan e tij, të cilës i kërkuan që t’u dorëzonte shumën prej 2 milionë lekësh të reja. Kjo shumë i është dorëzuar 57-vjeçarit Bajram Ibraliu në zonën e Saukut, por më pas ajo ka denoncuar në polici ngjarjen.
Sipas burimeve, ishin vëllezërit Sina dhe Masholli ata të cilët morën me forcë në makinë të moshuarin nga rruga “George W. Bush”, për ta çuar më pas në një banesë të braktisur në fshatin Kakunjë.
Pas arrestimit të autorëve, në automjetin e Begollit, me të cilën lëviznin ata, u gjetën dhe u sekuestruan 1 746 000 lekë, të dyshuara se kanë mbetur nga paratë e dhëna nga bashkëshortja e 68-vjeçarit.
Sipas burimeve, dyshohet se 68-vjeçari ka ngacmuar bashkëshorten e një prej autorëve dhe këta të fundit pasi e kanë marrë peng në këmbim të lirimit të tij kanë kërkuar shumën e 20 milionë lekëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.