Ngjarje

Kurohej në Belgjikë për kancer/ 28-vjeçarja vdes pas një operacioni në Tiranë për heqjen e dhjamit në një spital privat. Prokuroria nis hetimet

Gazeta Si – Një 28-vjeçare me iniciale I.H., ka ndërruar jetë në një spital privat në Tiranë ditën e martë pas një operacioni estetik për humbjen e peshës, ndërkohë që prokuroria ka nisur edhe hetimet.

Sipas burimeve paraprake, ajo i ishte nënshtruar operacionit Liposuction, ose heqja e dhjamit. Familjarët e saj bënë denoncim në polici për mjekim të pakujdesshëm.

Vëllai i saj, A.H., në një deklarim për mediat thotë se kanë paguar 2 mijë euro për operacionin. “Bëri një operacion që nuk i lejohej të bëhej, se kurohej në Belgjikë për kancer” deklaroi i vëllai.

Ai thotë se mjekët i kanë thënë motrës se nuk ka pasur rrezik nëse i nënshtrohej kësaj ndërhyrje kirurgjikale.

“Me dëshirën e saj ka shkuar, ndoshta se ka ditur që mund të ishte shumë e rrezikshme. Mjekët i kanë thënë s’ke pas rrezik. Ajo s’duhej të ishte futur fare në operim, narkozën nuk e pranon fare trupi me kancer’ thotë i vëllai.

Madje për të shkuar në operacion, kishte lyer flokët, kishte bërë qerpikët, thojntë duke thënë: “Do iki si zonjë në spital”, raporton Report Tv.

Në njoftimin zyrtar, policia sqaron se është ngritur një grup hetimor dhe janë kryer veprimet e para procedurale si autopsia, marrja në pyetje e familjarëve, marrja në pyetje e mjekëve dhe anestezistit që kanë marrë pjesë në operacion.

“Ditën e djeshme, më datë 30.01.2024, është marrë njoftim se në një spital privat, pas një operacioni, ka ndërruar jetë shtetasja I.H., 28 vjeçe, banuese në Tiranë. Pas marrjes së njoftimit, në drejtimin e Prokurorisë, është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para procedurale si autopsia, marrja në pyetje e familjarëve, marrja në pyetje e mjekëve dhe anestezistit që kanë marrë pjesë në operacion”, njofton policia.

Ndërkohë materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë