Ka ndodhur

Tiranë, 27-vjeçari bie në koma 5 ditë pas arrestimit për vjedhje. Policia: Po hetojmë shkaqet

Gazeta Si – Jani Rustemaj, 27-vjeç, i cili u arrestua për vjedhje nga policia në Tiranë, ndodhet aktualisht në gjendje kome në spital pas shfaqjes së problemeve shëndetësore 5 ditë pas arrestimit.

Për këtë, e ëma e tij ngriti dyshimin se gjendja e të birit vjen si pasojë e pakujdesisë nga ana e forcave të rendit. Nga burime në rrugë jo zyrtare, mësohet se Rustemaj është një përdorues i heroinës.

Në një sqarim për mediat, Policia e Tiranës thotë se po heton shkaqet e problemeve shëndetësore që çuan në gjendje kome të riun i prangosur për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atlete.

Në njoftimin e policisë, listohen ditët kur Jani Rustemaj është dërguar për ndihmë mjekësore. I riu u arrestua më 12 prill, dy ditë më pas ai filloi të shfaqte probleme shëndetësore dhe mori ndihmë mjekësore.

Një ditë më pas, më datë 15 prill, Jani Rustemaj është shoqëruar në gjykatë, ku është njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ditën e nesërme, Jani Rustemaj shfaqi sërish shqetësime, por Burgu 313 nuk e mori përsipër, sepse kishte mbingarkesë dhe ai u mbajt në burgun e sigurisë. Më pas, më datë 17 prill, 27-vjeçari është shoqëruar në QSUT.

E ëma e të riut kallëzoi në polici në fund të prillit, pasi i biri përfundoi në gjendje kome. Ajo ka ngritur dyshimet e saj për policinë e Tiranës pas arrestimit të djalit të saj.

Policia, thekson se nëna e tij ka paraqitur kallëzim në lidhje me procedurat e ndjekura për trajtimin e të  birit.

Policia thotë se aktualisht është ngritur një grup hetimor në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore që po heton për këtë rast.

Nga AMP-ja, po merren në pyetje disa punonjës policie dhe stafi mjekësor i Bllokut të Sigurisë dhe materialet do t’i kalojnë për vlerësim Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

I riu u vu në pranga për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atlete. Pesë ditë pas arrestimit, ai u dërgua në QSUT, ku ndodhet në gendje kome.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë