Gazeta Si – Tjetër humbje, e katërta në po kaq ndeshje të luajtura në Europë. Tirana është dështimi më i madh i futbollit shqiptar në kompeticionet europiane, Liga e Kampionëve së pari dhe tani Liga e Konferencës.
Kampionët e Shqipërisë janë mundur edhe sot, 3-2. Një zhgënjim i jashtëzakonshëm, që mund të ketë pasoja edhe për trajnerin Orges Shehi.

Tirana pësoi dy gola që në pjesën e parë nga Zrinjski. Bekaj u mposht fillimisht nga një goditje e saktë nga jashtë zonës. Pastaj një përgjumje totale e mbrojtjes solli golin e dytë të boshnjakëve.
Në fillim të pjesës së dytë Ismailgeci rihapi ndeshjen për Tiranën. Hasani, i futur në fushë si zëvendësues, kishte një shans të artë për të barazuar, por gjuajti jashtë. Një gabim i Totres në mesfushë solli golin e tretë të Zrinjskit, ndërsa Xhixha vetëm sa shtoi emrin e tij në listën e shënuesve.
Në Ligën e kampionëve Tirana u mund dy herë nga Dudelange, 1-0 në Luksemburg dhe 1-2 në ‘Air Albania’. Në këtë stadium bardheblutë u mundën pastaj 0-1 nga Zrinjski i Bosnjës në Ligën e Konferencës. Ndeshja e sotme, e katërta dhe e fundit në Europë, u mbyll po me humbje, 3-2.
Tirana me eliminimin e saj ka ‘vulosur’ njëkohësisht edhe kapitullimin e skuadrave shqiptare në kupat e Europës. Të gjitha të eliminuara dhe nga kundërshtarë modestë. Bilanci është katastrofik, por duhet pranuar si realitet i futbollit shqiptar në këtë moment.
Kampionatit të Superiores, që shpesh trumpetohet si një kampionat i fortë dhe me kualitet, i ka dalë boja në Europë. Niveli i tij lë për të dëshiruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




