Ish-kryeministri i Norvegjisë, Thorbjørn Jagland, është shtruar në spital pasi autoritetet raportojnë një incident të rëndë shëndetësor, i cili vjen vetëm pak ditë pas nisjes së një hetimi penal ndaj tij.
Ai raportohet se ka tentuar vetëvrasje në kushte të rënduara psikologjike.
Hetimi lidhet me dyshime për korrupsion, pas daljes në dritë të komunikimeve të tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein, sipas raportimeve mediatike ndërkombëtare.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara, Jagland dhe anëtarë të familjes së tij dyshohet se kanë qëndruar në pronat e Epstein gjatë periudhës 2011–2018. Këto të dhëna kanë nxitur reagimin e autoriteteve norvegjeze, të cilat nisën verifikime për përfitime të mundshme të parregullta.
Në disa prej komunikimeve të zbuluara, Jagland përmend udhëtime në vende të ndryshme, përfshirë edhe Shqipërinë, komente që kanë shtuar dyshimet dhe kanë nxitur interesin e hetuesve për aktivitetet e tij gjatë kohës kur mbante poste të rëndësishme publike.
Në një prej emaileve të shkëmbyera më 25 maj 2012, Jagland përmend “vajzat e mrekullueshme” shqiptare, pas një vizite në Tiranë.
Pas publikimit të këtyre materialeve, policia norvegjeze kreu kontrolle në pronat e tij në Oslo, ku u sekuestruan dokumente dhe materiale të ndryshme. Hetimi po drejtohet nga Njësia për Krime Ekonomike dhe Mjedisore e Norvegjisë, Økokrim, e cila konfirmoi se ish-kryeministri po hetohet për “korrupsion të rënduar”.
Bastisjet u kryen pasi Komiteti i Ministrave i Këshillit të Europës vendosi heqjen e imunitetit diplomatik të Jagland, duke i hapur rrugë procedurave penale në Norvegji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje