Futboll

Tirana shton një trofe në koleksionin e saj, mund Vllazninë në Superkupë

Gazeta Si – Një mbrëmje me gola në stadiumin ‘Air Albania’ dhe në fund festë për Tiranën, që ka shtuar një tjetër trofe në palmaresin e saj të pasur: Superkupën e Shqipërisë. Kryeqytetasit mundën Vllazninë me rezultatin 3-2.

Ndeshja nisi mirë për shkodaranët, që kaluan në avantazh me Esat Malën. Tirana barazoi në pjesën e parë me brazilianin Patrik, i cili në një farë mënyre imitoi patriotin e tij Riçarlison, duke shënuar me gjuajtje stil gërshërë, si lojtari i Brazilit në Botëror.

Tirana feston golin e Xhixhes. Gazeta Si, 7 dhjetor 2022

Në pjesën e dytë Hasani i dha avantazhin Tiranës. Trajneri Mirel Josa ndërhyri nga stoli dhe Vllaznia arriti të barazonte pak minuta para fundit 2-2. Çoba fitoi një penallti, që Latifi e ktheu në gol, por gëzimi i shkodranëve zgjati pak.

Në minutën e dytë shtesë Redon Xhixha shënoi golin e fitores, duke shtyrë në rrjetë një top të kthyer nga Zogoviç. Tirana fiton Superkupën e Shqipërisë, duke rritur besimin dhe motivimin për vazhdimin e kampionatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë