Futboll

Tirana shpartallon Kamzën, “paqe” mes Teutës e Flamurtarit

Me ndeshjet Tirana-Kamza dhe Teuta-Flamurtari është mbyllur java e 19-të e Superligës shqiptare. Në këtë rifillim pas pauzës dimërore nuk munguan surprizat në këtë dy përballje, teksa Tirana shpartalloi 4-1 Kamzën, ndërsa Teuta dhe Flamurtari janë ndarë në barazim.

Duket një Tiranë e rilindur, pas asaj fitore në Kupë me Flamurtarin, ka ardhur edhe fitorja e dytë për bardheblutë, këtë herë në kampionat përballë Kamzës, rivale e drejtpërdrejtë në luftën për mbijetesë.

Rezultati 4-1 mund të duket si një fitore e thjeshtë për ekipin e Ardian Memës, por e para që kaloi në avantazh ishte Kamza me anë të Plakut. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e ekipit mik, por në 45 minutat e dyta do të fillonte “Tirana show”. Duke përfituar edhe superioriteti numerik, pas daljes me të kuq të Beqirit për Kamzën, skuadra bardheblu do të shënonte katër herë. Në fillim Hasani barazoi në minutën e 59’ dhe më pas Ngo kaloi në avantazh Tiranën. Do të ishte sërish mesfushori shkodran, Hasani që hipotekoi këtë triumf për bardheblutë në minutën e 74’, teksa 3 minuta më vonë, Albi Doka e ktheu këtë fitore në goleadë. Pas këtij triumfi me përmbysje, Tirana ngjitet në kuotën e 20 pikëve, duke iu larguar zonës së ftohtë, aty ku për momentin qëndrojnë Kamza dhe Kastrioti.

Në sfidën tjetër të luajtur në “Niko Dovana”, Teuta me merkato të fuqishme është bllokuar përballë Flamurtarit të përfshirë nga kriza. 1-1 është mbyllur sfida mes durrsakëve dhe vlonjatëve. Të parët që gjetën rrugën e rrjetës do të ishin djemtë e Ilir Dajës, me anë të Bathës, që nuk gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Por reagimi i Teutës erdhi shumë shpejt, dhe në minutën e 23’, Traore barazoi shifrat.

Në pjesën e dytë të ndeshjes, Teuta u hodh e gjitha në sulm në kërkim të golit të fitores, por nuk do ia dilte dot. Edhe në rastin kur shënoi, ai u anulua nga arbitri. Flamurtari edhe pse mbeti me një lojtarë më pak, pas daljes me të kuq të Veliut, ia doli që të mbrohej mirë dhe të marrë një pikë shumë të vlefshme në transfertë dhe mbetet pretendent për zonën e Europës edhe pse kriza financiare vijon.

Më poshtë tabela e plotë e ndeshjeve të Superligës të javës së 19-të:


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë